Mitrovice, 13 Shkurt/ATSH/- Rreth 7. 400 persona kanë aplikuar deri tani për legalizim të objekteve në komunën e Mitrovicës, ndërsa shtyrja e afatit për aplikim ka ndikuar në rënien e fluksit të qytetarëve në zyrat e Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm.
Drejtori i kësaj Drejtorie, Sami Zeka, tha se, përveç objekteve private, procesit të legalizimit duhet t'i nënshtrohen edhe pronarët e ndërtesave shumëkatëshe.
"Pronarët e banesave në ndërtimet shumëkatëshe që kanë leje ndërtimi, aplikojnë për leje të shfrytëzimit të pronave, ndërkaq, kur është fjala për ndërtesat shumëkatëshe që nuk posedojnë leje ndërtimi, investitorëtfillimisht duhet të aplikojnë për leje të ndërtimit, e më pas pronarët e banesave duhet të kërkojnë leje të shfrytëzimit të pronave", ka thënë Zeka.
Sipas tij, disa nga investitorët në të kaluarën i kanë ofruar komunës kontratat që kanë lidhur me pronarët e tokave për të marrë të drejtën e ndërtimit në pronat e kontraktuesve, por të tillët nuk kanë aplikuar më pas për leje të ndërtimit.
Ai shtoi se punës në terren për matjen e pronave, i paraprinë verifikimi i listës së aplikuesve, pasi që ka raste të objekteve të cilat janë legalizuar më parë dhe pronarët e tyre nuk kanë nevojë për të paguar sërish për legalizim.
"Çmimi që është përcaktuar për legalizim të objekteve në komunën e Mitrovicës, është 2.96 euro për metër katrorë, që është taksë për tokë ndërtimore. Taksën prej 100 euro, duhet ta paguajnë të gjithë ata që kërkojnë legalizimin e objekteve të tyre, ndërkaq taksën për tokë ndërtimore e paguajnë vetëm ata, prona e të cilëve kalon 100 metrakatrorë. Duhet sqaruar se ata që legalizojnë objekte mbi 100 metra katrorë, shuma prej 100 euro e përcaktuar për të gjithë, do të ju llogaritet në taksën e çmimit për tokë ndërtimore", sqaroi drejtori Zeka.
Ai lidhur me rastet sociale, tha se të tillët janë të liruar nga taksa për tokë ndërtimore për objekte deri në 400 metra katrorë, ashtu sikur që lirohen nga kjo taksë edhe pronarët e objekteve bujqësore derinë 400 metra katrorë./kosovapress/ /a.g/










