Qytetarët polakë që ndodhen në Iran duhet të largohen menjëherë prej andej. Kjo ishte thirrja e drejtpërdrejtë e kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, i cili paralajmëroi për rrezik real të një konflikti të armatosur.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Tusk tha se situata mund të përshkallëzohet brenda pak orësh dhe se, nëse shpërthen një konflikt i nxehtë, askush nuk do të mund të garantojë evakuimin.

“Ju lutem, merreni këtë seriozisht. Në të kaluarën kemi pasur përvoja të këqija me njerëz që i kanë injoruar këto paralajmërime. Prandaj dua ta theksoj edhe një herë: largohuni menjëherë nga Irani ose anuloni planet tuaja të udhëtimit. Nëse shpërthen një konflikt i nxehtë, askush nuk do të jetë në gjendje t’ju garantojë një mënyrë për t’u larguar,” tha ai.

Paralajmërimi vjen mes tensioneve të larta në rajon. Sipas mediave Irani planifikon të lëshojë raketa në zonat në jug të vendit. Ndërkohë, SHBA-të kanë mobilizuar anije luftarake pranë Iranit.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se Uashingtoni po shqyrton nëse do të vazhdojë angazhimin diplomatik me Teheranin apo do të ndjekë opsione të tjera.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Irani të heqë dorë nga programi bërthamor, ndërsa Teherani mohon se synon të zhvillojë armë atomike. 

Gjashtë arsyet pse president Donald Trump mund të godasë Iranin

Vendimi është në tavolinën e president Donald Trump: ta sulmojë Iranin apo të presë. Forcat amerikane janë afruar. Avionë luftarakë, aeroplanmbajtëse, sisteme mbrojtjeje raketore – gjithçka është pozicionuar në distancë veprimi. Një ndërhyrje mund të ndodhë edhe menjëherë.

Kjo lëvizje vjen ndërsa bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë në Gjenevë, me ndërmjetësimin e Omanit. Irani ka kërkuar dy javë kohë për propozime më të detajuara. Por shumë zyrtarë amerikanë dyshojnë se mund të arrihet marrëveshje. Trump kërkon heqje dorë të plotë nga programi bërthamor, përfshirë ndalimin e pasurimit të uraniumit. Izraeli kërkon edhe çmontimin e arsenalit raketor.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar mbi 50 avionë luftarakë shtesë, dhjetëra avionë furnizimi në ajër dhe dy grupe aeroplanmbajtësesh, “USS Abraham Lincoln” dhe “USS Gerald Ford”, të shoqëruara nga anije luftarake e nëndetëse. Objektivat e mundshëm përfshijnë raketa balistike, depo armësh, baza të Gardës Revolucionare dhe objekte bërthamore.

Eksperti Michael Rozenblat, studiues në Atlantic Council dhe ish-pjesë e aparatit të sigurisë izraelite, rendit gjashtë arsye pse, sipas tij, një sulm mund të shihet si zgjedhja e duhur.

Së pari, ai thotë se Irani është në pikën më të dobët që nga revolucioni i vitit 1979. Protestat e brendshme, lufta 12-ditore e qershorit me SHBA dhe Izraelin dhe dobësimi i rrjetit të milicive në rajon e kanë tronditur regjimin.

Së dyti, ai flet për një “imperativ moral”. Sipas tij, represioni ndaj protestuesve ka qenë i ashpër dhe negociatat mund t’i japin regjimit frymëmarrje politike dhe ekonomike pikërisht në momentin kur është më i brishtë.

Së treti, është çështja e besueshmërisë. Nëse SHBA tërhiqet nga kërcënimi ushtarak, Teherani mund ta lexojë si dobësi dhe të mendojë se Uashingtoni do të stepet nën presion.

Së katërti, janë interesat ekonomike. Një regjim ndryshe në Iran do të rikthente rezervat e mëdha të gazit dhe naftës në tregjet perëndimore dhe do të ndikonte edhe në llogaritë energjetike të Kinës.

Së pesti, ai argumenton se një rol aktiv amerikan do t’i jepte Uashingtonit mundësinë të ndikojë në tranzicionin e brendshëm dhe të shmangë që Rusia apo Kina të përfitojnë nga një boshllëk pushteti.

Së fundi, programi bërthamor. Sipas analizës, goditjet e qershorit vetëm sa e vonuan për disa muaj aftësinë e Iranit për të prodhuar armë atomike. Teherani ka deklaruar se do të vazhdojë. Pa monitorim të plotë ndërkombëtar, rreziku mbetet.

Në këtë klimë, Rozenblat argumenton se një fushatë ushtarake e drejtuar nga SHBA për ndryshim regjimi mund të sjellë rezultat më të qëndrueshëm sesa një proces i gjatë diplomatik që mund të përfundojë me një marrëveshje të dobët dhe një Iran më të fortë.

Tani, gjithçka varet nga vendimi që do të merret në Shtëpinë e Bardhë.