Një fond prej 64 milionë lekë pritet t'i japë zgjidhje përfundimtare shqetësimit të banorëve të pallatit pesëkatësh në lagjen “Punëtori”, tre vjet pasi ndien rrëshqitjet e para të tokës, që tronditën jetët e tyre.
Projekti i financuar nga qeveria shqiptare dhe i mbikëqyrur nga Bashkia Gjirokastër parashikon ndërtimin e mureve mbajtëse dhe ngritjen e dy rreshtave me pilota për stabilizimin e kodrës ku ndodhet objekti. Shtatori pritet të jetë fillimi i punimeve që parashikohen të zgjasin 4 muaj dhe përfitues janë 16 familje.
“Mezi flinim. Tërë natën pa gjumë”, shprehet një zonjë.
“ Shtëpia është më e rrezikuar nga pallati. Kemi pritur 3 vjet, se dimrin tjetër nuk do qëndronim dot. Erdhi kjo ditë shpresojmë që të fillojnë punimet sa më shpejtë”, shprehet një banore.
“Më shumë se 3 vjet ky pallat i ka vënë në panik këta banorë. Nuk do kishim mundësi ta bënim këtë investim pa ndihmën e ministrit Blendi Çuçi, Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj hde kryministrin që na mbështeti dhe do ta zgjidhim sa më shpejt këtë problem të kthey në një gangrenë shumëvjeçare”, thotë Kreu i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi.
Rrëshqitjet e tokës në lagjen “Punëtori” nisën në ditët e para të janarit 2018 duke detyruar bashkinë të shpallë gjendjen e emergjencës, ndërsa banorët të largohen nga banesat. Janari i këtij viti ripërsëriti situatën kritike, krijuar nga erozioni dhe ndërtimet e shumta në kodren e Shtufit.