Prokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest, e përshëndeti aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë një vendim të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe për drejtësinë ndaj viktimave.

"Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare”, tha Ëest, sipas një njoftimi për media.

Sipas saj, ZPS-ja “nuk ka ndjekur penalisht UÇK-në” dhe as “luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës”.

“Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë”, tha Ëest.

Prokurorja Ëest po ashtu tha se ZPS-ja do të shqyrtojë të gjithë aktgjykimin në ditët në vijim, përfshirë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit “që nuk çuan në dënime”.

Njoftimi i plotë 

" Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e mirëpriti aktgjykimin e shpallur sot në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe për drejtësinë, edhe pse të vonuar, për viktimat.

Trupi gjykues konstatoi se secili prej katër të akuzuarve mban përgjegjësi penale individuale për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet, Rexhep Selimi me 13 vjet dhe Jakup Krasniqi me 25 vjet.

"Vendimi i sotëm, i bazuar vetëm në fakte dhe në ligj, është i rëndësishëm për llogaridhënien dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo pozitës politike, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare", tha Prokurorja e Specializuar.

West theksoi se çështja e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte të bënte me përgjegjësinë penale individuale dhe nuk vinte në diskutim asnjë narrativë historike.

"Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbajtur përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë. Zyra nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës. Individë të caktuar shfrytëzuan rrethanat e luftës për të kryer krime të rënda dhe është për meritë të Kosovës që këta individë po mbahen tani përgjegjës", vijoi ajo.

Gjatë paraqitjes së çështjes, Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti dëshmitë e 125 dëshmitarëve në sallën e gjyqit, ndërsa rreth 3.000 prova në disa gjuhë u pranuan si prova materiale.

Në aktgjykimin e saj, trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë fajtorë për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar të të paktën 385 personave, trajtim mizor ndaj të paktën 49 personave, torturën e 303 personave dhe të paktën 96 vrasje.

Sipas njoftimit, këto krime u kryen ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, nga prilli 1998 deri më 20 qershor 1999, në komuna të ndryshme të Kosovës dhe në dy rrethe të veriut të Shqipërisë.

Prokurorja e Specializuar bëri të ditur gjithashtu se Zyra e Prokurorit do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin gjatë ditëve në vijim, përfshirë edhe gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit që nuk çuan në dënime.

Në fund, Zyra e Prokurorit të Specializuar ritheksoi angazhimin për të siguruar llogaridhënie dhe për të mbështetur të drejtat e viktimave, ndërsa procesi gjyqësor kalon në fazat e ardhshme."


Lajmi kryesor:

Ditë e zezë për Kosovën/ Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte! Nga 25 vite për Thaçin e Krasniqin, rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimit (VIDEO)