Rrëzimi i qeverisë dhe shkarkimi i kryeparlamentarit, tre skenarët që mund t’i japin fund krizës në Mal të Zi

Rrëzimi i qeverisë dhe shkarkimi i kryeparlamentarit, tre skenarët që mund t’i japin fund krizës në Mal të Zi

Kuvendi i Malit të Zi gjatë debatit për shkarkimin e Qeverisë së Zdravko Krivokapiçit më 4 shkurt 2022.

Janë tre skenarë të mundshëm për dhënien fund të krizës politike njëmujore në Mal të Zi, e cila kulmoi në katër ditët e fundit me votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë dhe shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.

Edhe Qeveria e Zrdavko Krivokapiçit, që u rrëzua përmes mocionit më 4 shkurt, edhe Aleksa Beçiç, që u shkarkua nga posti i kryetarit të Kuvendit më 7 shkurt, janë zgjedhur nga shumica parlamentare prej 41 deputetësh të Frontit Demokratik pro-serb, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA pas zgjedhjeve të 30 gushtit të vitit 2020.

Në ato zgjedhje, ata shënuan fitore të ngushtë kundrejt Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, e cila, së bashku me parti të tjera më të vogla të pakicave, mbeti në opozitë me 40 deputetë.

Të dy ndryshimet, mosbesimi ndaj Qeverisë dhe shkarkimi i Beçiqit, u votuan nga Lëvizja URA dhe opozita, e udhëhequr nga DPS e Gjukanoviqit. Ish-aleatët e Lëvizjes URA, Fronti Demokratik dhe Demokratët, i vlerësuan këto vendime si “tradhti” dhe kalim në anën e DPS-së.

Kriza aktuale e ka bërë të paqartë se kush bën pjesë në shumicën parlamentare dhe kush është në opozitë dhe kjo krizë mund të zgjidhet në tri mënyra: me formimin e një qeverie të re me ose pa mbështetjen e shumicës aktuale, me formimin e një qeverie të pakicës sipas modelit të propozuar nga Lëvizja URA ose përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Qeveria me shumicën aktuale

Lëvizja URA, e cila inicioi shkarkimin e Qeverisë së Krivokapiqit për shkak të ngërçit në integrimet evropiane, më herët ka propozuar modelin e një qeverie të pakicës. Kreu i Lëvizjes URA, Dritan Abazoviq, tha se do të kërkonte mbështetjen për këtë model nga të gjithë deputetët e Kuvendit.

Për këtë qëllim, Lëvizja URA aktualisht po bisedon me partnerët e saj aktualë nga Fronti Demokratik, të cilët besojnë se zgjidhja është që tre koalicionet që fituan zgjedhjet e gushtit të formojnë një qeveri të re që do të përfshinte partitë e pakicës.

Analisti politik Millosh Beshiq tha për Radion Evropa e Lirë se mundësia e krijimit të një qeverie me shumicën aktuale parlamentare nuk ekziston pas shkarkimit të kreut të Kuvendit.

"Mendoj se ajo histori ka përfunduar. Mund të bisedonim për atë temë disa ditë më parë para se Beçiç të largohej nga posti i kryetarit të Kuvendit. Por, ky shkarkim e pengoi plotësisht mundësinë e formimit të një qeverie të re brenda shumicës ekzistuese ose të vjetër”, tha ai.

Për Sërxhan Periqin nga organizata “KOD”, marrëveshja për krijimin e një qeverie të re me shumicën aktuale parlamentare është gjithnjë më pak e mundshme.

“Qeveria me shumicën e saj aktuale parlamentare po vepron gjithnjë në mënyrë më pak të sigurt për shkak të akuzave të ndërsjella, të cilat u dëgjuan në radhë të parë mes URA-s dhe Demokratëve, në periudhën e kaluar dhe për shkak të armiqësive të forta personale, të cilat nuk duhet të përcaktojnë politikën. Për fat të keq, ky është rasti në Mal të Zi”, tha Periq për Radion Evropa e Lirë.

Për Beshiqin është gjithashtu i pamundur opsioni që modeli i Abazoviqit për një qeveri të pakicës të fitojë mbështetjen e shumicës së vjetër, përkatësisht të deputetëve të Frontit Demokratik dhe Demokratëve.

“Nuk do të ndodhë. Tani mbetet të shihet nëse do të kemi qeveri të pakicës apo zgjedhje”, tha Beshiq.

Qeveria e pakicës

Abazoviq prezantoi konceptin e një qeverie e pakicës më 17 janar, si model për tejkalimin e krizës dhe zhbllokimin e proceseve evropiane. Më pas ai deklaroi se nuk kishte vend në të për dy partitë më të forta, Frontin Demokratik pro-serb dhe Partinë Demokratike të Socialistëve e Gjukanoviqit. E para për mungesën e një orientimi të qartë euroatlantik dhe e dyta për mungesën e kapaciteteve demokratike dhe vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e shfaqur gjatë qeverisjes tridhjetëvjeçare.

Sipas tij, ata mund të mbështesin qeverinë e pakicës, pa marrë pjesë në të. Baza e përbërjes së qeverisë së pakicës mund të jetë memorandumi që Abazoviq nënshkroi me të gjithë liderët e partive minoritare dhe me Partinë Popullore Socialiste pro-serbe, e cila deri më tani ka funksionuar në aleancë me Frontin Demokratik. Memorandumi përmban përkushtimin e nënshkruesve ndaj vlerave qytetare dhe evropiane në Mal të Zi.

Analisti Millosh Beshiq shprehet pothuajse i sigurt se Mali i Zi do të ketë një qeveri të pakicës, që do të mbështetej në Kuvend nga Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit.

“Do të thosha 95 kundrejt 5 për qind të probabilitetit që të kemi një qeveri të pakicës. Duke pasur parasysh deklaratat dhe sjelljet e të gjithë aktorëve politikë, është fare e qartë se DPS do ta mbështesë qeverinë e pakicës. Është po aq e qartë se minoritetet do të jenë pjesë e saj. Mbetet të shihet nëse dhe në çfarë mase Partia Popullore Socialiste (SNP) dhe ndoshta dikush tjetër nga i ashtuquajturi ’blloku serb’ do të përfshihet në qeveri", thaBeshiq.

Ai mendon se krijuesit e qeverisë së pakicës do të përpiqen të përfshijnë në ekzekutiv edhe ndonjë nga partitë opozitare pro-malazeze, siç është Partia Socialdemokrate.

Sërxhan Periq pajtohet gjithashtu se skenari më i mundshëm është formimi i një qeverie të pakicës, e cila do të drejtohej nga URA dhe partneri i saj më i vogël i koalicionit CIVIS, qeveri që do të mbështetej nga DPS-ja dhe opozita aktuale.

Ai tha se është e vërtetë që një qeveri e tillë do të paraqiste një ndryshim të caktuar në strategjinë dhe retorikën në raport me retorikën dhe strategjinë parazgjedhore të Lëvizjes URA.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka deklaruar në mënyrë eksplicite se partia e tij do të mbështesë qeverinë e pakicës, por nuk do të marrë pjesë në të.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme

Sipas Kushtetutës, presidenti i jep mandatin për përbërjen e qeverisë së re një grupi politik që mund të sigurojë 41 vota në Kuvend për propozimin e tij.

Nëse askush nuk mund ta plotësojë këtë kriter, atëherë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Beshiq beson se zgjedhjet e parakohshme, si opsion në këtë kohë do t'i përshtateshin Frontit Demokratik dhe Demokratëve, atyre që deri dje ishin në pushtet dhe nuk janë më sot.

"Zgjedhjet nuk do t'i përshtaten të gjithëve në këtë kohë, veçanërisht Lëvizjes URA. Për shkak të humbjes eventuale të votave dhe për shkak të konstelacionit të përgjithshëm politik. Sipas mendimit tim, DPS nuk do të shkonte përpara as prapa. Sigurisht, DPS llogarit se duke mbështetur qeverinë e pakicës mund të kthejë një pjesë të elektoratit. Do të shohim nëse kjo do të ndodhë, mendoj se do të varet nga ndryshimet e personelit brenda partisë dhe ndryshimeve tjera”, tha Beshiç.

Periq pret që qeveria të formohet në më pak se një muaj.

"Unë them se presim dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Ai po ashtu beson se zhvillimet në skenën politike, në planin afatgjatë, nuk po shkojnë drejt stabilitetit, pasi, siç tha Periq, janë po të njëjtë aktorë që duhet të merren vesh edhe pas zgjedhjeve të ardhshme.

"Malit të Zi i mungojnë politikanë që janë në gjendje të arrijnë një konsensus mbi çështjet themelore lidhur me funksionimin e qeverisë, dhe të cilët janë të gatshëm të kapërcejnë armiqësitë personale".

Paralelisht me përpjekjen për zgjidhjen e krizës në institucionet shtetërore, në ditët në vijim janë paralajmëruar edhe se do të mbahen protesta kundër lëvizjeve politike të Lëvizjes URA, por edhe të tjera, që mund të mbështesin modelin e një qeverie të pakicës./ REL

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Presidenti gjerman Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt

Gjermani/ Presidenti gjerman Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt