Rrëzohet kërkesa e opozitës
për t'i hequr mandatin Leskajt

Rrëzohet kërkesa e opozitës<br />për t'i hequr mandatin Leskajt
TIRANE - Deputetja e Vlorës, Valentina Leskaj nuk rrezikon mandatin e saj. Mazhoranca në Këshillin e Mandateve vendosi të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për t'i hequr mandatin e deputetes, me argumentin se djemtë e saj kanë përfituar tendera vlerë në miliona euro. Deputeti demokrat Arben Ristani u shpreh se është përmbushur kriteri i papajtueshmërisë së saktësuar në Kushtetutë. “PD ka denoncuar babëzinë e anëtarëve të qeverisë të cilët përfitojnë nga paratë publike me dhjetëra apo qindra milionë euro. Dy kanë qenë mënyrat e përfitimit deri tani: nëpërmjet kompanive private gjoja të shitura tek persona të tjerë dhe nëpërmjet investimit të interesave private nga njerëz të afër me pushtetin.

Neni 71 i Kushtetutës thotë se mandati i deputeti mbaron kur plotësohet papajtueshmëria. Ne mendojmë që janë plotësisht kushtet e përcaktuara nga Kushtetuta për mbarimin e mandatit pasi janë lidhur kontrata duke përfituar nga pasuritë publike. Aq e vërtetë është kjo, sa pas denoncimit të PD-së, djemtë kanë shitur aksionet e tyre në kompanitë ku kanë qenë ortakë”-tha Ristani. Por avokati i deputetes Leskaj, Artan Hajdari argumentoi se nuk ka pasur papajtueshmëri. “Pretendimet e paraqitura nga grupi parlamentar i PD-së, nuk qëndrojnë dhe nuk janë të bazuara mbi interpretimin kushtetues. Po kjo shoqëri në fjalë ku zoti Besnik Leskaj ka qenë aksioner 45 %, në qeverinë e kaluar, ka pasur mundësi që të krijojë raporte ligjore me qeverinë vendore dhe atë qendrore në lidhje me konsulenca sipas veprimtarisë së saj. Nuk ka papajtueshmëri sikundër parashikohen nga Kushtetuta dhe ligji i posaçëm për deputetët. Dispozita nuk flet për fëmijët e deputetit, por vetëm për deputetin.

Nuk mund të quhet konflikt interesi, kur një i person i lidhur me të, merr pjesë në një tender, në të cilin deputeti nuk ka vendimmarrje. Kjo do të ndodhte nëse deputeti ndikon, por duhet të japësh prova që deputeti ka ndikuar që fëmija e tij të marrë tenderin”, -tha avokati Hajdari. Për të saktësuar situatën, deputeti socialist Ulsi Manja i drejtoi një tjetër pyetje avokatit: “Për fat të mirë në rastin konkret kemi dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese. Ajo është shprehur që deputeti ka vetëm një pagë për funksionin dhe nuk njeh asnjë të ardhur tjetër nga pasuritë e shtetit. Deputetja Valentina Leskaj, veç kësaj page, a disponon të ardhura të tjera që burojnë nga veprimtari fitimprurëse?” Avokati tha se nuk ka pasur asnjë të ardhur tjetër.

Pjesa tjetër e mbledhjes është zhvilluar me dyer të mbyllura, dhe në përfundim, palët nuk kanë dalë me një qëndrim të përbashkët. Dy relacionet, ai i shumicës dhe ai i opozitës do t’i përcillen për votim të enjten Parlamentit.  Edhe pse të bindur se kërkesa e tyre do të rrëzohet edhe kur të kalojë për votim të enjten në Kuvend, demokratët lënë të nënkuptuar se nuk do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese siç ka ndodhur në raste të tjera. Arben Ristani tha në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes, se qëllimi i opozitës ishte që qytetarët të shihnin atë që ai e quan "babëzi" për të fituar nga pasuria publike dhe t'i bashkohen kështu aksionit opozitar, protesta të cilat ende nuk kanë një datë të përcaktuar se kur do të mbahen nga PD-ja.

Ristani
"Vazhdojnë të zhvasin pasuri publike, si në rastin e Beqajt, Kokëdhimës, ndërkohë kanë dalë në skenë dhe djemtë apo prindërit e deputetëve që marrin tendera qindra miliona euroshe nga pasuria publike.”

Manja 
"Ne nuk ishim as për të mbrojtur zonjën Leskajn as për ta ndëshkuar atë. Ne si mazhorancën nuk mund të deformojmë qëndrimet tona kushtetuese për interesat politike të ditës”.
 
Avokati
“Nuk mund të quhet konflikt interesi, kur një i person i lidhur me të, merr pjesë në një tender, në të cilin deputeti nuk ka vendimmarrje.”

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Nentor 2015

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Kuvendi në flakë, Asllan Dogjani në 'Frontline Interview': Kushtetuta amerikane parashikon që qytetarët të marrin armët kur shteti punon kundër tyre

Kuvendi në flakë, Asllan Dogjani në 'Frontline Interview': Kushtetuta amerikane parashikon që qytetarët të marrin armët kur shteti punon kundër tyre