TEL-AVIV, 23 korrik /ATSH-AFP/ - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry mbërriti sot në Tel-Aviv në përpjekje për t'i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe lëvizjes islamike të Hamasit që ka shkaktuar më shumë se 600 palestinezë të vdekur në Rripin e Gazës.
Kerry do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon në Jerusalem, presidentin palestinez, Mahmoud Abbas në Ramallah (Cisjordani) dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu në ministrinë e Mbrojtjes në Tel-Aviv, sipas Departamentit të Shtetit.
Objektivi i kësaj vizite pas një dite diskutimesh në Kajro, ndërmjetësuesi tradicional i konflikteve mes Izraelit dhe lëvizjes islamike të Hamasit, do të jetë gjetja e një rruge drejt armëpushimit në Gaza, një konflikt që i ka kushtuar jetën që prej 8 korrikut rreth 650 palestinezëve dhe 31 izraelitëve, 29 prej të cilëve ushtarë.
Hamasi hodhi poshtë javën e kaluar një propozim nga Egjipti për armëpushim duke kërkuar veçanërisht ndërprerjen e luftimeve, heqjen e bllokimit në Gaza, në fuqi që prej disa viteve, hapjen e kufirit me Egjiptin dhe lirimin e të burgosurve./
/ec/