Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur 3 kompani në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike Dap, Nitrat dhe Ure, pasi pas 1 viti hetimesh rezultoi se kanë rritur në mënyrë të menjëhershme çmimet. Janë gjobitur kompania "BLEND SHPK" në shumën 118,978,015 lekë, "MBM SHPK" në shumën 66,088,573 lekë dhe "CACA SHPK" në shumën 7,087,994 lekë.
Autoriteti i Konkurrencës nisi hetimet me datë 12.03.2021 në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, për të vlerësuar nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës. Nën hetim u vunë 10 kompani, përkatësisht ARLI INTERNACIONAL SHPK, AGRO BLEND SHPK, MBM SHPK, ECO-GREEN SHPK, LILA SHPK, AGRO-MENS SHPK, ÇAÇA SHPK, IAM SHPK, AGROHELP-SA SHPK dhe BESNIKU SHPK.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se tre kompanitë e gjobitura kanë rritur në mënyrë të njëkohshme dhe të menjëhershme e çmimit të shitjes me shumicë duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes dhe duke ndarë tregjet.
Sjellja e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK, gjatë periudhës nën hetim vinte në kundërshtim me ligjin 'Për Mbrojtjen e Konkurrencës'.
Më herët ka qenë ish-zv.kryeministri Erion Braçe, i cili në një intervistë në Report Tv denoncoi se tregu i plehrave kimike është shndërruar në një kartel kriminal, që po ndikonte negativisht te bujqit.
"Sot, në datë 25.03.2022, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 874, në përfundim të “procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike Dap, Nitrat dhe Ure, ndaj ndërmarrjeve: ARLI INTERNACIONAL SHPK, AGRO BLEND SHPK, MBM SHPK, ECO-GREEN SHPK, LILA SHPK, AGRO-MENS SHPK, ÇAÇA SHPK, IAM SHPK, AGROHELP-SA SHPK dhe BESNIKU SHPK”, vendosi:
- Gjobitjen e ndërmarrjes AGRO BLEND SHPK në shumën 118,978,015 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, germat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003.
- Gjobitjen e ndërmarrjes MBM SHPK në shumën 66,088,573 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, germat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003.
- Gjobitjen e ndërmarrjes CACA SHPK në shumën 7,087,994 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, germat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003.
Gati një viti më parë, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin nr.783, datë 12.03.2021, vendosi hapjen e hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, për të vlerësuar nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës, sipas parashikimeve të ligjit nr.9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Referuar konkluzioneve të hetimit paraprak, Komisioni i Konkurrencës me anë të vendimit nr.806, datë 04.06.2021, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure, ndaj ndërmarrjeve: ARLI INTERNACIONAL SHPK, AGRO BLEND SHPK, MBM SHPK, ECO-GREEN SHPK, LILA SHPK, AGRO-MENS SHPK, ÇAÇA SHPK, IAM SHPK, AGROHELP-SA SHPK dhe BESNIKU SHPK, për periudhën kohore nga 01.01.2020 – 30.09.2021.
Në respekt të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave të nevojshme në lidhje me hetimin dhe hartimin e raportit me gjetjet përfundimtare, Autoriteti i Konkurrencës kërkoi të dhëna dhe informacion nga: ndërmarrjet që operojnë në tregun objekt hetimi; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; Qendra Kombëtare e Biznesit; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe zhvilloi seanca dëgjimore me përfaqësues të disa ndërmarrjeve nën hetim dhe të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në përfundim, referuar analizës së provave indirekte në lidhje me sjelljen e ndërmarrjeve nën hetim, të tilla si: rritja e treguesve të përqendrimit, rritja e njëkohshme dhe në mënyrë të menjëhershme e çmimit të shitjes me shumicë duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes dhe duke ndarë tregjet, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se, sjellja e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK, gjatë periudhës nën hetim vinte në kundërshtim me nenin 4 pika 1, germa a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Përtej gjobitjes së tre ndërmarrjeve të sipërcituara, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjithashtu edhe vendosjen nën monitorimin e tregut të importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure, për një periudhë 1 (një) vjeçare nga data e daljes së këtij vendimi", thuhet në noftimin e Autoritetit të Konkurrencës..