/ATSH/- Treguesi i depozitave në lekë për periudhë afatgjatë mbi 2 vjet, ka shënuar rritje në fillim të këtij viti kundrejt muajit dhjetor 2014.
Ekspertët e bankës shprehen se, individët kanë filluar që të depozitojnë kursimet e tyre me afat më të gjatë, duke bërë që efekti lehtësues i politikës monetare që po ndjek Banka e Shqipërisë të mos japë efekt në uljen e interesave.
Para një muaji, Banka Qëndore e uli për të 13-ën herë rresht normën e interesit të lekut, duke e çuar atë në 2%. Këto lëvizje bënë që 13 miliard lekë depozita të cilat ishin me afat të ulët, të depozitohen me afat mbi dy vite.
Ekspertët thonë se në këto kushte interesa më të leverdishme mund të sjellin fondet e investimit. Ata shprehen pro politikës lehtësuese monetare si një mekanizëm që nxit kreditimin dhe investimet private në ekonominë e vendit. Interesi mesatar i depozitave në lekë, në fillim të këtij muaji shënoi rënie krahasur me muajin tetor të vitit 2014.
Në publikimin e Bankës së Shqipërisë mbi nivelin e interesave që ofrojnë bankat për kursimet, norma maksimale e interesit për depozitat me afat maturimi 12 mujor arrin në 2.4 % dhe norma minimale është vetëm 0.2 për qind.
Ekspertët shprehen se, interesat do të jenë më të ulta këtë vit në krahasim me vitin 2014, për shkak të rritjes të tatimit mbi interesat në 15 % nga 10 për qind që ishte deri me 1 janar 2015.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, depozitat e sektorit bankar kanë pësuar një rritje të lehtë, por me ritme më të ulëta krahasuar me gjashtëmujorët paraardhës. Megjithatë, në këtë rritje të lehtë, kontributin kryesor e kanë dhënë depozitat e biznesit ndikuar edhe nga pagesa e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj këtij sektori