TIRANE- Përdorimi masiv i teknologjisë së informacionit, si dhe rritja e transaksioneve online, kanë prodhuar një dukuri sa të panjohur, aq dhe aktuale për agjensitë ligjzbatuese në Shqipëri.
 
Bëhet fjalë për krimet kibernetike, ku organe si policia, prokuroria, si dhe sektorët e përgjimeve dhe zbulimeve kompjuterike përballen çdo ditë me një fluks tepër të madh pune.
 
Për vitin 2013 organi i akuzës në kryeqytet ka regjistruar plot 15 procedime penale për mashtrime kompjuterike, ndërsa mbi 30 raste janë ende në proces hetimi. Prokuroria e kryeqytetit për krimet kompjuterike në bashkëpunim me policinë dhe strukturat e krimeve kompjuterike deri më tani janë shkatërruar plot 8 grupe keqbërësish.
 
Ndër krimet më të përhapura sipas task forcës në Prokurorinë e Tiranës janë, klonimi i kartave të kreditit, transaksionet e rreme bankare, si dhe ndërhyrja në privatësinë e përdoruesve online.
 
Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, janë klasifikuar dhe një sërë veprimesh të kundraligjshme të cilat më parë nuk kanë ekzistuar, si vjedhja e një pasuordi, ndërhyrja në faqet personale në rrejtet sociale si dhe ofendimet apo cënimi i dinjitetit të personave veprime këto të cilat ndodhin rëndom.
 
E ndërsa teknologjia dhe keqbërësit ecin me ritme të shpejta duke përshtatur pajisje dhe programe nga më të fundit, organi i akuzës kërkon nga qytetarët të jenë më vigjilent, të kujdesshëm, si dhe të denoncojnë çdo dyshim që kanë në lidhje me cënimin e privatësisë gjatë përdorimit të teknologjive.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)