Numri i viktimave nga vërshimet në Pakistan ka arritur në 1.208 dhe ky numër pritet të rritet. Situata është shumë e rëndë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë me dije se “po dërgojnë një ekip vlerësimi në Islamabad për të përcaktuar se çfarë mbështetjeje potenciale mund të ofrojë DOD...si pjesë e ndihmës së Shteteve të Bashkuara për krizën e përmbytjeve në Pakistan”.
Zëdhënësi kolonel, Joe Buccino tha se vendimi pasoi një telefonatë të 1 shtatorit midis shefit të Komandës Qendrore, gjeneral Erik Kurilla dhe shefit të shtabit të ushtrisë pakistaneze, gjeneral Qamar Javed Bajëa.
Ndërkohë që mjekët paralajmërojnë se mungesa e ujit të pastër po shkakton një rritje të sëmundjeve në Pakistan. Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar për mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse dhe sëmundjeve të tjera në zonat e prekura nga vërshimet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vërshimet kanë dëmtuar të paktën 888 ndërtesa shëndetësore, duke penguar përgjigjen e shtetit ndaj krizës shëndetësore të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore.
Qeveria pakistaneze tha se mbi 33 milionë persona – apo 15 për qind e popullsisë prej 220 milionë banorësh – janë prekur nga vërshimet që kanë shkatërruar shtëpi, biznese, infrastrukturë, rrugë dhe po ashtu kanë shkatërruar të mbjellat. Disa vlerësime thonë se një e treta e shtetit aktualisht është nën ujë.
Komente

