Çmimi i naftës është në rritje në ditët e para të vitit 2012, si rrjedhojë e optimizmit për një rikuperim të mundshëm ekonomik dhe për shkak të tensionit në Lindjen e Mesme.

Kontratat e naftës regjistruan rritje në sesionin e sotëm. Nafta bruto amerikane për shkurtin u rrit 1.89 dollarë në 100.70 dollarë për fuçi. Nafta bruto Brent e Londrës për shkurtin u rrit 1.41 dollarë në 108.89 dollarë për fuçi.

Sipas ekspertëve, për sa kohë do të vazhdojnë tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, ka shumë gjasa që çmimi i karburanteve të vazhdojë të rritet.

Irani ka kërcënuar se do të mbyllë ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon 15% e eksporteve botërore të naftës, nëse presioni mbi vendin do të vazhdojë. Një eventualitet i tillë do të ishte katastrofik për tregjet, pasi do të shkaktonte një rritje rekord të çmimeve.

Një tjetër faktor mbështetës ka qenë edhe manifaktura kineze, rritja e të cilës sugjeron për konsum konstant të naftës nga Kina.