TIRANË- Edhe pse tashmë në vend është pjesërisht efektive seria e re e kartëmonedhave me element të shtuar sigurie dhe është më rezistente, përsëri falsifikimi i parave mbetet në nivel të lartë.
Vetëm në vitin 2019 është rritur me 16% sasia e kartëmonedhave dhe monedhave të falsifikuara, që janë zbuluar në qarkullim, në raport me vitin 2018. Për vitin e kaluar janë identifikuar në total 675 raste të kartëmonedhave të falsifikuara me vlerë monetare 13 milionë lekë të vjetra. Ndryshe nga vitet e kaluara prerja 2000 Lekë zë pjesën më të madhe të totalit të kartëmonedhave të falsifikuara, e pasuar nga prerjet 500 dhe 1000 Lekë. Ndërkohë sa i takon monedhave metalike, numri më i lartë i falsifikimeve është vrenjtur tek prerja 50 lekë.
Në 2019, janë zbuluar në treg 318 kartëmonedha 2000 lekë, të falsifikuara, pësuar nga prerja 500 lekë me 125 copë falso. Po ashtu janë gjetur 117 kartëmonedha prerja 1000 lekë të falsifikuara, janë gjetur 99 kartëmonedha 5000 lekë, dhe 16 falsifikime tek prerja 200 lekë. Krahasuar me vitin e kaluar numri i falsifikimeve ka rënë vetëm për prerjen 1000 mijë lekë nga 132 raste që kanë qenë në 2018, në vitin 2019 janë identifikuar 117 raste.
Kryesisht në falsifikimin e kartëmonedhave dominojnë riprodhimet me teknikë bazë printime digjitale me ngjyra të shoqëruara me aplikimin e metodave shtesë artizanale për imitimin e elementeve dhe tipareve të sigurisë kryesisht me natyrë vizuale dhe ato të prekjes.
Por me futjen në qarkullim të kartëmonedhave të reja, kryerja e falsifikimit bëhet edhe më e vështirë pasi ato kanë elemente të shtuara, ato kanë një shirit sigurie ndriçues, në anësore të kartëmonedhës ka disa vijëzime sigurie që krijojnë pengesa dhe dallohen me anë të prekjes, po ashtu element sigurie është edhe stema e shqiponjës dykrenore, ndërsa ngjyrat dhe ndërthurja e tyre është një element i shtuar sigurie. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë ka bërë një sërë marrëveshjesh për të parandaluar pastrimin e parave në sektorin bankar, ndërsa pak ditë më parë ishte Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave që zbuloi se përsëri vijon të mbetet shqetësim pastrimi i parave tek ndërtimi dhe tek sektori i Call-center.