Prej disa vitesh, në ujërat e Gjirit të Vlorës është vënë re një shtim i ndjeshëm i peshkut luan, një specie invazive dhe mjaft e rrezikshme si për faunën detare, ashtu edhe për pushuesit që frekuentojnë detin.

Peshkatarët e zonës raportojnë se ky peshk po bie gjithnjë e më shpesh në rrjetat e tyre, ndërsa kontakti me të mund të shkaktojë dëmtime serioze për shkak të gjembave helmuese.

Peshkatari nga Radhima, Sherif Dyrmishi, thotë se kjo specie duhet eliminuar menjëherë, ashtu siç veprohet edhe në Greqi e Itali, ku peshkatarët sapo e hasin, e neutralizojnë për të mos rrezikuar ekosistemin dhe sigurinë e njerëzve.

Sipas tij, numri i peshkut luan po rritet nga viti në vit, duke përbërë një kërcënim të dyfishtë: rrezik për jetën e pushuesve që mund të shpohet nga gjembat helmuese dhe dëmtim të rëndë të faunës detare vendase.