Autoritetet gjermane shprehen të shqetësuara për rritjen drastike të sulmeve kundër shtëpive të azilkërkuesve. Vetëm këtë vit ka patur mbi 500 sulme të tilla, 3 herë më shumë se sa vitin e kaluar. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere e ka cilësuar të turpshme dhunën ndaj azilkërkuesve, ndërsa tha se 2/3 e këtyre sulmeve janë kryer nga banorë që nuk kishin precedentë penalë.
 
De Maiziere kërkoi ashpërsim të masave ndaj atyre që sulmojnë azilkërkuesit, pavarësisht se shumica e sulmeve janë kryer në godina boshe. “Personat përgjegjës duhet të kuptojnë se ata po kryejnë krime të papranueshme”, tha ministri.
 
Gjermania pret që numri i azilkërkuesve këtë vit të arrijë deri në 800 mijë ndërsa shumë qytete po përballen me sfidën e strehimit të refugjatëve. Liderët e Landit të Bavarisë i kanë kërkuar Berlinit të kufizojë numrin e refugjatëve ndërsa qeveria e shtetit jugor ka kundërshtuar hapur politikën e dyerve të hapura të kancelares Angela Merkel. Pjesa më e madhe e gjermanëve janë të përçarë sa i takon kërkesës së Merkel për të mikpritur refugjatët që vijnë nga vendet e luftës apo konfliktet si Siria dhe Iraku.
Shumica është kundër pritjes së emigrantëve ekonomikë që vijnë nga vendet jo anëtare të BE-së. Pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve vijnë nga vendet e Ballkanit ku shqiptarët janë në vend të parë për numrin më të lartë të azilkërkuesve në Gjermani.
 
Në një deklaratë të premten, qeveria bavareze kërcënoi se do t’i drejtohet Gjykatëse Kushtetuese për të refuzuar vendimin e qeverisë federale për pritjen e azilkërkuesve. Bavaria ka pritur 241 mijë emigrant vetëm gjatë muajit shtator, ndërsa planifikon të shtojë me 3700 vetë stafin e shërbimit publik për t’u përballur me krizën.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)