Partia e Lirisë ka hedhur akuza ndaj qeverisë se Shqipëria po përballet me një realitet të hidhur, pasi sipas saj inflacioni po gërryen jetën e përditshme të çdo familjeje shqiptare.
Në një deklaratë për mediat nga selia, Sekretarja për Mardhëniet me Publikun në PL, Arla Merja deklaron se rritja e çmimeve të ushqimeve, energjisë, karburanteve dhe ilaçeve, është pasojë e dështimit të qeverisë për të frenuar abuzimet, monopolin dhe korrupsionin.
“Qeveria ka lejuar oligarkët të diktojnë çmimet, ka lejuar tregun të funksionojë pa kontroll dhe ka mbyllur sytë përballë korrupsionit në import, në shpërndarje dhe në administratë”, deklaron Merja.
Ndërsa në fund, Sekretarja për Mardhëniet me Publikun në PL thekson se pasojat i vuajnë qytetarët e thjeshtë.
Deklarata e plotë e Arla Merës:
Sot Shqipëria po përballet me një realitet të hidhur, inflacioni po gërryen jetën e përditshme të çdo familjeje shqiptare.
Çmimet rriten çdo ditë, të ardhurat nuk mjaftojnë, dhe qeveria flet për “rritje ekonomike” vetëm nëpër statistika dhe propagandë televizive.
Në treg, çmimet e ushqimeve bazë janë rritur në mënyrë të pandalshme.
Në fatura, energjia dhe karburantet janë bërë barrë e rëndë për qytetarët.
Në farmaci, ilaçet janë gjithnjë e më të shtrenjta, duke lënë të moshuarit në mëshirë të fatit.
Por ndërsa shqiptarët vuajnë, qeveria i shet publikut histori suksesi, duke u mburrur me shifra që nuk përkthehen në jetën reale të njerëzve.
Në letër, ekonomia rritet.
Në realitet, shqiptarët varfërohen.
E vërteta është e thjeshtë, çdo lek më shumë që paguan sot qytetari, është pasojë e dështimit të qeverisë për të frenuar abuzimet, monopolin dhe korrupsionin.
Qeveria ka lejuar oligarkët të diktojnë çmimet, ka lejuar tregun të funksionojë pa kontroll dhe ka mbyllur sytë përballë korrupsionit në import, në shpërndarje dhe në administratë.
Dhe sot faturën e paguan punëtori që merr një pagë minimale që nuk mjafton as për bukën e gojës.
E paguan familja e zakonshme që heq dorë nga ushqimet bazë për të paguar faturat.
E paguajnë të moshuarit, që pas një jete të tërë pune, sot nuk kanë para as për ilaçet e tyre.
Kjo nuk është vetëm një krizë ekonomike, por edhe një sociale, është një dramë që po detyron njerëzit të emigrojnë, sepse këtu, në vendin e tyre nuk mbijetojnë dot.
Ne kërkojmë urgjentisht masa konkrete.
Ulje të menjëhershme të TVSH-së për produktet ushqimore bazë.
Subvencione reale për bujqësinë dhe prodhuesit vendas, që të mos jemi të varur nga importet e shtrenjta.
Kontroll dhe transparencë mbi tregun e energjisë dhe karburanteve, që qytetarët të mos paguajnë çmime të manipuluara.
Politika për rritje reale të pagave dhe pensioneve, jo thjesht premtime boshe në fushata.
Sot e gjithë Shqipëria e ndjen në xhep dhe në tryezë dështimin e kësaj qeverie.
Propaganda nuk hahet, statistikat nuk ushqejnë, premtimet nuk mbushin frigoriferin bosh.
Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si numra në një tabelë, që varfëria të thellohet, ndërsa pasuria e vendit vidhet nga pakica.
Është koha që politika të vendosë qytetarin në qendër, jo oligarkët!
Është koha që Shqipëria të ketë një ekonomi që i shërben njerëzve, jo pushtetarëve!
Komente












