Rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit nuk i ka shpëtuar as procesi i rindërtimit, tek i cili janë hasur vonesa dhe tejkalim i afatit të punimeve. Në mars të këtij viti duhet të dorëzoheshin apartamentet e lagjes "Lugina" në Shijak, por nga 31 pallate kanë përfunduar vetëm 8.
“Aktualisht 8 pallate janë të përfunduara në lagjen “Lugina”, ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre janë në 90% të objektit të realizuara, por nuk kemi parë të arsyeshme shpërndarjen e hyrjeve në këto objekte pasi duke qenë se ndodhen në mes të kantierit të punimeve, mendojmë që të përfundojnë dhe objektet përreth tyre dhe më pas t’i shpërndajmë të gjitha".
![]()
Arkitekti i zyrës së projekteve Filip Gjoni tha se është rritur kostoja e ndërtimit për kompanitë e tenderuara të cilat duhet të përfundojnë projektet me vlerat fillestare të tenderave.
“Rritja e çmimit të hekurit, betonit, materialeve të ndërtimit, por edhe e karburantit ka ndikuar në procesin e rindërtimit dhe vonesat janë pasojë. Që prej muajit shtator janë ndjerë rritjet e para të çmimeve dhe vlera aktuale e materialeve të ndërtimit është të paktën 70% mbi çmimet fillestare që kanë paraqitur kompanitë e tenderuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo gjë përkthehet në kosto për këto kompani pasi u duhet të përfundojnë objektet me vlerat fillestare.“
Ende nuk ka një datë se kur do të hidhet shorti për ndarjen e 571 apartamenteve në 31 pallatet e reja që po ndërtohen në Shijak, ndërsa familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 vazhdojnë të trajtohen me bonus qiraje.

