Nga nesër flota e autobusëve të shërbimit publik do të reduktohet me 40%. Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe mosmarrjen e masave nga qeveria për subvencionim.

Njoftimi nga Shoqatat e Transportit erdhi pasi Bordi i Transparencës e rriti çmimin e naftës deri në 215 lekë. Reduktimi i numrit të autobusëve të transportit publik u paralajmërua që kur kriza e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, rriti ndjeshëm çmimet e karburantit në vend.

Përfaqësuesit e shoqërive të transportit, zhvilluan më parë dhe një takim me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, ku kërkuan subvencione për naftën. Për pasojë e mos përmbushjes së kërkesave të tyre; mosmiratimi i një skeme kompesimi, mos hartimi i një plani veprimi për lehtësimin e barrës fiskale të sektorit, mos nisja e një procesi për rishikimin e elementeve fiskale; numri i autobusëve do të reduktohet me 40%.

Njoftimi i plotë

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban informojnë qytetarët se, pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë 01.04.2026 me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse për sektorin e transportit publik. Kështu konstatojmë se:

a) Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesës së përsëritur të operatorëve;

b) Nuk ka një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare të sektorit; c) Nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse;

d) Nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative (akcizë, taksë qarkullimi, TVSH).

Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit. Për pasojë, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente.

U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, duke theksuar se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë.

Shoqatat mbeten të hapura për dialog dhe bashkëpunim, por theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.

 

Kliko këtu për dokumentin e plotë