TIRANË- Partia Demokratike ka propozuar një paketë ligjore për uljen e çmimit të naftës në vend, pas rritjes që ka pësuar deri në 202 lekë/litri menjëherë pas luftës në Lindjen e Mesme. Deputeti demokrat, Eno Bozdo i cili prezantoi propozimet e PD-së thotë se aktualisht rreth 60 deri në 65% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantin dhe për rrjedhojë një nga vendet me çmimin më të lartë në Europë. Kërkesa për rishikimin e taksave është bërë edhe nga Konfindustria, pasi në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa: akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit.

“Sot, shteti shqiptar për çdo litër nafte të shitur merr rreth 125 lekë taksë. Me fjalë të thjeshta, çdo qytetar shqiptar paguan rreth 1,200 lekë të vjetra taksë për çdo litër nafte që konsumon, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantin dhe si rrjedhojë, me një nga çmimet më të larta në Evropë”, tha Bozdo.

Demokratët propozojnë dy ndërhyrje kryesore ligjore: uljen e taksës së qarkullimit në nivelin e vitit 2013 dhe aplikimin e modelit të akcizës së ndryshueshme, sipas praktikës italiane.

“Përmes kësaj pakete ligjore propozojmë uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ka qenë në vitin 2013,përpara se qeveria Rama ta rriste 4 fish. Aplikimin e modelit të “akcizës së ndryshueshme”, sipas praktikës së ndjekur nga Italia, ku teprica e TVSH-së nga rritja e çmimit të karburantit përdoret për uljen e akcizës, duke ofruar kështu një mekanizëm shumë të ndershëm dhe në dobi të qytetarëve”, tha Bozdo.

Sipas tyre, këto masa do të sillnin një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës, në të paktën 175 lekë për litër.

“Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për qytetarët shqiptarë, të cilët sot përballen me vështirësi të rënda ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së paketave mbështetëse nga ana e qeverisë”, theksoi Bozdo.

Në deklaratën e tij, Bozdo ngriti shqetësim edhe për sigurinë energjetike të vendit, duke theksuar se rezervat strategjike të naftës janë nën standardet e Bashkimit Europian.

“Rezervat e naftës në Shqipëri mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardi i BE-së kërkon 90 ditë. Kjo është një situatë alarmante për sigurinë energjetike”, tha Bozdo.

Kryeministri Edi Rama mblodhi dje në një takim furnizuesit e karburanteve, ku tha se deri më tani rritja ka qenë e moderuar dhe se nga kontrollet që janë bërë rezulton se po respektohet rezerva e sigurisë. Kryeministri iu drejtua kompanive duke thënë se më mirë të fitojnë pak sesa të rikthehet bordi i transparencës, ndërsa sa i takon taksave, u theksua se nuk ka vend për rishikim.