KOSOVË- Ditët e fundit kanë shënuar një rritje të frikshme të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë. Sipas ekspertëve kjo rritje lidhet me faktin që në vend po qarkullon varianti delta.

Si rezultat i 5.272 testimeve, në 24 orët e fundit janë regjistruar 1.006 raste infeksioni me COVID-19, krahasuar me ditën e djeshme ku u raportua për 888 persona pozitivë. Ndërkaq, bëhet me dije se dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me virusin.

Ministria e Shëndetësisë bën e dije se 82 qytetarë janë shëruar nga virusi, ndërsa që nga fillimi i pandemisë në vend 105.963 persona kanë arritur ta fitojnë luftën me koronavirusin.

Në të gjithë vendin, që nga fillimi  i pandemisë numri total i infektimeve ka shkuar 112.653, ndërkohë që ai i viktimave është 2.276. Ndërkaq, numri i rasteve aktive në vend është rritur ndjeshëm, ku përkatësisht në të gjithë vendin numërohen 4.414 qytetarë, krahasuar me 3.489 qytetarë që ishin një ditë më parë.

Në lidhje me numrin e qytetarëve që janë vaksinuar kundër COVID-19, IKSHKP bën me dije se 17.986  qytetarë kanë marrë dozën e vaksinës anti-COVID në 24 orë. Që nga fillimi i procesit të vaksinimit në muajin mars, 539.752 persona janë vaksinuar gjithsej, ndërsa 183.240 prej tyre i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.