Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e sotme, solli në fokus rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit ku do të përfitojnë rreth 720 punonjës nga tre strukturat: RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë (ish-FNSH) dhe Forcën e Posaçme Operacionale.

Kjo rritje e parashikuar në buxhetin e vitit 2026, indekson me 20% më shumë ose 250 mijë lekë pagat për forcat RENEA, me rreth 14% ose 140 mijë lekë për ato Operacionale dhe Forcat e Kombëtare të Sigurisë.

“Me rritjen që këto kategori marrin tani, mjafton të them që një inspektor i thjeshtë kalon në një pagë 1600 euro, ndërsa për një drejtues në RENEA 2300 euro. Për forcat operacionale, grada inspektor 1200 dhe ajo komisar 1600 dhe 1700 euro. Është një politikë rritje page, e cila tregon me vepra mbështetjen që japin punonjësit e Policisë së Shtetit. Dhe nga ana tjetër, është një rritje që mundëson ruajtjen e efektivëve më të mirë në këto trupa policore”, tha Koçiu.

Pyetjes së gazetarit të Report Tv Sokol Dema lidhur me numrin e trupave policore apo ushtarake që Shqipëria do të dërgojë në Rripin e Gazës, referuar fjalimit të Ramës në Bordin e Paqes, Koçiu nuk dha një shifër konkrete, por tha se angazhimi nga ana jonë do të jetë maksimal.

“Unë nuk kam informacionin konkret sot, patjetër që angazhimi do të jetë ashtu siç e deklaroi kryeministri Rama në dje në Uashington. Sa i përket numrit të efektivëve për të mbështetur të gjithë partneritetin dhe angazhimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, do e vlerësojmë në ditët në vijim”, tha ajo.

Ministrja Koçiu foli për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara ku në bilancin e vitit 2025, janë në total 726 asete me vlerë rreth 6 miliardë lekë të sekuestruara dhe 64 pasuri të konfiskuara. Këto pasuri, Koçiu tha se do të vendosen në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe familjeve që kanë një dëshmor, apo punonjës policie që ka humbur jetën në detyrë.

Përsa i përket një prej porosive më të rëndësishme të kryeministrit Rama për Koçiun në marrjen e detyrës së re lidhur me ngritjen e një strukture të mirëfilltë të adresave, ministrja tha se puna ka nisur dhe se po rishikohen planet për të bërë një analizë të detajuar për të realizuar një sistem funksional.

“Sistemi i adresave është një nga punët e brendshme që me gjithë përpjekjet, kemi një sistem adresash që s’është ende funksional. Për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, një sistem i saktë adresash është i domosdoshëm. Kemi nisur punën me bashkitë për të rishikuar planet vendore, sistemin e emërtimit të rrugëve brenda bashkive dhe për të bërë një analizë të detajuar që të kuptojmë cilat janë institucionet që do të mbartin përgjegjësinë për të populluar sistemin e adresave”, tha Koçiu.

Ministrja u pyet gjithashtu dhe për përdorimin e monopatinave nga qytetarët apo dhe të miturit pavarësisht urdhrit për bllokimin e tyre të përkohshëm deri në hartimin e një kuadri të ri ligjor rregullues. Koçiu tha se ka raste sporadike ndërsa theksoi se vendimi është i duhuri dhe se nuk do të tërhiqet.

“Ne jemi duke punuar, nuk është një çështje kaq e thjeshtë sepse është një gjë të vendosësh shpejtësi, por kërkon një studim të thelluar lidhur me rrugët, infrastrukturën e nevojshme për të lejuar lëvizshmëri të sigurt. Kërkon dhe një kulturë shumë të mirë të përdorimit të tyre”, tha Koçiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:19
Garda e Republikës ende pa drejtues, Koçiu: Kandidatët nuk kaluan pragun e pikëve, gara do të rihapet

Ministrja Albana Koçiu sqaroi se dështimi i garës së Gardës së Republikës për të zgjedhur një drejtues të ri ishte për shkak se asnjë prej kandidaturave nuk kaloi pragun e pikëve. Gara do të rihapet sërish, ndërsa funksioni ushtrohet aktualisht nga zv/titullari.

“Gara për drejtuesin e Gardës së Republikës u hap në dhjetor, pati aplikime, intervistat dhe fazat e nevojshme për t’u zhvilluar. Asnjë nga kandidaturat nuk kaloi pragun e pikëve për t’u shpallur një fitues dhe u mbyll pa një fitues. Do të rihapet sërish për të pasur një drejtues ose titullar të Gardës së Republikës së Shqipërisë.. Aktualisht funksioni ushtrohet nga zv/titullari”, tha Koçiu.

Kandidatët u njoftuan me mesazh se gara ishte mbyllur pa fitues. Procesi u hap pas dorëheqes nga detyra të Ermal Onuzit, 9 muaj pas emërimit.

Ora 13:17
Shqipëria premtoi dërgimin e trupave në Gaza, Koçiu: Nuk kemi një numër sesa do të angazhohen, përkushtimi do të jetë maksimal

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu iu përgjigj pyetjes së drejtuar nga gazetari i Report Tv , Sokol Dema lidhur me kontributin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me trupa policore në Rripin e Gazës.

Koçiu tha se sot nuk ka një numër të saktë të trupave që do të angazhohen.

“Unë nuk kam informacionin konkret sot, patjetër që angazhimi do të jetë ashtu siç e deklaroi kryeministri Rama dje në Uashington. Sa i përket numrit të efektivëve për të mbështetur të gjithë partneritetin dhe angazhimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, do ta vlerësojmë në ditët në vijim. Angazhimi do të jetë maksimal, duke garantuar mirëfunksionimin e institucioneve tona dhe duke garantuar pastaj edhe partneritetin dhe angazhimin që Shqipëria ka ndërmarrë”, tha Koçiu.

Ora 13:05
Presioni ndaj ish-kreut të SPAK, Koçiu: Janë shtuar dy truproja për Altin Dumanin

Koçiu hodhi poshtë lajmet se Garda e Republikës nuk ka zbatuar vendimin e KLP për shtimin e truprojave për Altin Dumanin. Ministrja e Brendshme tha se Garda e ka zbatuar duke shtuar dy truproja për prokurorin e SPAK.

“KLP ka marrë vendim dhe në momentin që merr vendim ka edhe një anëtar përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme në nivelin e zv/ministrit. Jemi vënë në dijeni, kemi qenë pjesë e vendimmarrjes. Nga ana tjetër, Garda e Republikës ka zbatuar këtë vendim duke e shtuar në organikën e saj edhe dy truproja të tjera për Dumanin në nivelin e prokurorit të SPAK. Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat dhe ka miratuar shtimin e dy punonjësve”, tha ministrja.

Kërkesa u bë nga kreu i tanishëm i SPAK, Klodian Braho në kuadër të presionit në rritje ndaj Dumanit, lidhur me disa hetime të rëndësishme që mbajnë firmën e Dumanit gjatë kohës kur ai ishte drejtues i SPAK-ut. Për shkak të detyrës që mbante Altin Dumani, ishte nën ruajtje të rreptë deri në fund të mandatit të tij.

Ora 12:42
Bllokimi i përdorimit të monopatinave, Koçiu: Vendim i duhur dhe nuk tërhiqemi, po studiojmë infrastrukturën

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu tha se vendimi për bllokimin e përkohshëm të përdorimit të monopatinave, është një vendim i duhur dhe se po punohet për rregullimin e këtij kuadri ligjor.

“Është aluduar kohët e fundit që ka një dorëzim nga ana e Ministrisë së Brendshme lidhur me moslejimin e përdorimit të monopatinave. Nëse do të më pyesnit sërish nëse është vendimi i duhur, do t’ju them se po, për të ndaluar qarkullimin e monopatinave deri në momentin që lëvizshmëria e tyre do të rregullohet siç duhet. E them nisur edhe nga eksperienca e mëparshme si ministre Shëndetësie; rastet që referoheshin sidomos tek Trauma sa i përket dëmtimeve fizike nga përdorimi i monopatinave, nga përdorimi pa kriter moshe, shpejtësie, dhe aksidentet nuk ndodhin vetëm tek përdoruesit, por edhe tek kalimtarët. Vetëm për vitin 2025, deri në muajin tetor kur i bllokuam, kishim mbi 990 raste që merrnin trajtim tek Trauma. Konsidero këtu edhe rastet e tjera që nuk shkojnë në spital. Pikërisht përpara jetës dhe sigurisë së fëmijëve, qytetarëve të çdolloj moshe, vendimi për t’i pezulluar në një mënyrë të menjëhershme është vendimi më i mirë dhe nuk tërhiqem nga ai vendim.

Ne jemi duke punuar; nuk është një çështje kaq e thjeshtë, sepse është një gjë të vendosësh shpejtësi, por kërkon një studim të thelluar lidhur me rrugët, infrastrukturën e nevojshme për të lejuar lëvizshmëri të sigurt. Kërkon edhe një kulturë shumë të mirë të përdorimit të tyre”, tha Koçiu.

Ora 12:35
Koçiu: Do të rrisim pagat në Policinë e Shtetit, përfitojnë rreth 720 punonjës! Një drejtues në RENEA do të marrë deri në 2300 euro

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu bëri me dije rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 720 punonjës.

“Kemi propozuar një rritje të re pagash për sa i përket punonjësve të Policisë së Shtetit; janë rreth 720 punonjës të cilët do të përfitojnë një rritje të mëtejshme dhe është një rritje që shpërblen të gjithë ata efektivë që përballen dhe që janë në vijën e parë të rrezikshmërisë me të gjithë ata që kryejnë vepra të rrezikshme.

Bëhet fjalë për 3 struktura: RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe ato operacionale. Është një fond pagash që është parashikuar në vitin 2026. Me rritjen që këto kategori marrin tani, mjafton të them që një inspektor i thjeshtë kalon në një pagë 1600 euro, ndërsa për një drejtues në RENEA 2300 euro. Për forcat operacionale, grada inspektor 1200 dhe ajo komisar 1600 dhe 1700 euro. Është një politikë rritje page, e cila tregon me vepra mbështetjen që japin punonjësit e Policisë së Shtetit. Dhe nga ana tjetër, është një rritje që mundëson ruajtjen e efektivëve më të mirë në këto trupa policore”, tha Koçiu.

Ora 12:29
Sistemi i adresave, Koçiu: Ende jo funksional, kemi nisur punën për rishikimin e planeve vendore

Sistemi i adresave është një prej prioriteteve të Ministrisë së Brendshme. Ministrja Albana Koçiu tha se ka nisur puna për rishikimin e planeve dhe një analize të detajuar për të realizuar një sistem funksional.

“Sistemi i adresave është një nga punët e brendshme që me gjithë përpjekjet, kemi një sistem adresash që s’është ende funksional. Për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, një sistem i saktë adresash është i domosdoshëm. Kemi nisur punën me bashkitë për të rishikuar planet vendore, sistemin e emërtimit të rrugëve brenda bashkive dhe për të bërë një analizë të detajuar që të kuptojmë cilat janë institucionet që do të mbartin përgjegjësinë për të populluar sistemin e adresave. Kjo është detyrë, punë e përgjegjësi e të gjitha institucioneve, duke nisur nga bashkitë te kadastra, njësitë e urbanistikës dhe ministri për Pushtetin Vendor që do të veprojmë bashkarisht”, tha Koçiu.

Ora 12:19
Koçiu: 65 mln euro pasuri të krimit të sekuestruara e konfiskuara, i vëmë në dispozicion të shtetit dhe familjeve të dëshmorëve

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në një konferencë për shtyp ditën e sotme, tregon se në vitin 2025 janë sekuestruar në total 726 pasuri me vlerë deri në 6 miliardë lekë, 64 janë të konfiskuara.

Këto asete, Koçiu sqaron se janë vendosur në dispozicion të institucioneve publike, rreh 20 prej të cilave kanë përfituar. Këto asete gjithashtu janë vendosur dhe në dispozicion të familjeve që kanë një dëshmor, apo punonjës policie që ka humbur jetën në detyrë.

“Deri pak vite më parë, nuk kemi pasur një kuadër ligjor i cili të na mundësojë një trajtim ndryshe apo një trajtim që i jep mundësi që këto pasuri të sekuestruara apo konfiskuara të transferohen tek ata që kanë nevojë, tek viktimat e krimit, familjet dhe ata që kanë vuajtur më shumë pasojat e këtyre veprimeve. Kemi 65 mln euro asete dhe pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara, që do të administrohen për nevojat e komuniteteve. Është një nga sfidat më të larta që kemi pasur mundësi ti heqim nga duart e krimit. Tregon dhe mënyrën sesi kemi proceduar dhe forcimin e kapaciteteve tona. Në vitin 2025 726 pasuri prej 6 miliardë lekësh të sekuestruara, të konfiskuara 64 pasuri.

Po këto aseste, janë vendosur në funksion të institucioneve publike, janë 20 institucione publike që kanë përfituar. Këto asete do ti vendosim të dispozicion të pushtetit vendor, me qëllim që bashkitë t’i përdorin këto sipërfaqe për strehim social. Është në nga problematikat që shpesh bashkitë e kanë ngritur si shqetësim. Këto asete kemi vendosur t’i vëmë edhe në dispozicion të familjeve që kanë një dëshmor, apo punonjës policie që ka humbur jetën në detyrë. Është detyrimi ligjor për t’iu ofruar banesë falas dhe këto sete do shërbejnë edhe për të mbështetur familjet e policëve të rënë në krye të detyrës. ”, tha Koçiu.