Cisterna e ‘Gaspower’ nga e cila rrodhi gaz në ‘Porto Romano’ të Durrësit nuk kishte kryer kontrollet e duhura, madje nuk kishte as dokumentacionin për të kryer këtë veprimtari. Ky është përfundimi në të cilin ka dalë Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) pas hetimeve të kryera një ditë pasi rrodhi gaz në një zonë të banuar.

Në një deklaratë për mediat, ISHTI shpjegon se kompania nuk ishte e pajisur me certifikatë miratimi për transportin e mallrave të rrezikshëm, madje një certifikatë nuk e kishte as për cisternën në të cilën ndodhi rrjedhja e gazit.

Megjithatë, pavarësisht këtyre konstatimeve ISHTI bnuk ka marrë asnjë masë penalizuese, por bën me dije se kompanisë Gaspower i është kërkuar që të mos e përdorë më cisternën pa e pajisur me të gjithë dokumentacionin e plotë siç e parashikon ligji.

“Subjektit Gaspower AL sha u la detyrë që të merren masa  për boshatisjen e menjëhershme të cisternës  së GLN-s,  për pastrimin e territorit, monitorimin e cisternës së GLN-s si dhe ambientit për qark. Cisterna  e GLN-s të  automjetit nuk duhet të përdoret pa u pajisur me të gjithë dokumentacionin tekniko ligjor”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, prokuroria ka nisur hetimet për administratorin e subjektit Altin Molla, për akuzën për veprën penale “Ndotje mjedisi”.

Rrjedhja e gazit u regjistrua një ditë më parë rreth orës 11:30, por fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar. Cisternat e fabrikës çliruan gaz, që u përhap në gjithë zonën e Porto Romanos, ku banojnë me qindra familje  Nga era e rëndë u ndërprere mësimi në shkollën 9-vjecare “Met Hasa” dhe u evakuuan banorët që kanë shtëpitë pranë fabrikës që prodhon bombola gazi. Banorët kërkuan që  ky biznes të zhvendoset, pasi shëndeti i tyre është në rrezik.

Kushtet e paplotësuara sipas ISHTI-it

1 – Certifikatë konformiteti  e cisternës e cila lëshohet nga nje Organ i miratuar.
2 – Certifikatë e miratimit për mjetet që transportojnë  disa mallra të rrezikshëm  e cila lëshohet nga nje Organ i miratuar (ADR).
3 – Certifikatë për transportin  e mallrave të rrezikshëm  e cila lëshohet nga Drejtoria e Transportit Rrugore.
4 – Policë për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësisnë ndaj palëve të treta.
5 – Certifikatë e kalibrimit të sasisë të cisternës  së GLN-s.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:04
Rrjedhja e gazit të Porto Romano, nisin hetimet për administratorin e firmës

Prokuroria ka nisur hetimet për administratorin e subjektit ‘Gaspower’ në Porto Romano, ku cisterna rrodhi gaz. Në hetim është vënë Altin Molla, për akuzën për veprën penale “Ndotje mjedisi”.

Materialet i janë referuar prokurorisë dhe po kryhen ekspertimet dhe kolaudimet përkatëse për te gjetur shkakun e ngjarjes se djeshme dhe nëse faji është i administratorit apo grupit të kontrollit teknik për mosmarrje masash për parandalimin e ndotjes së ambientit dhe mos respektim të kushteve teknike në ambientet e punës.