TIRANE - Kryetari i demokratëve Lulzim Basha menjëherë pas votimit të kryetarit të ri të Kuvendit, Ilir Meta, ku tetë vota për mazhorancën e majtë ishin dhënë nga të djathtët duke plotësuar në 91 numrin e votave pro, ka mbledhur grupin parlamentar të PD. Temë kryesore e takimit, përtej deklaratave për mediat, sipas të cilave do të përcaktohet qëndrimi ndaj shpejtësisë me të cilën socialistët kërkojnë të miratojnë programin e qeverisë, ka qënë rrjedhja e votave drejt mazhorancës së majtë.

Mësohet se Basha është shprehur në mbledhjen e grupit se është e pakonceptueshme që të rrjedhin votat që në votimin e parë në Kuvend drejt mazhorancës së re, aq më tepër për kreun e Kuvendit, i cili nuk është se kishte nevojë për votat e të djathtës për t’u zgjedhur. Nga ana tjetër mësohet se në këtë takim ka folur dhe ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD Sali Berisha, i cili ka nënvizuar faktin se ky është një diversion i mazhorancës së re dhe PD duhet të ruhet.

As Basha dhe as Berisha nuk kanë vënë gishtin në ndonjë deputet të veçantë në lidhje me këtë rrjedhje votash, por mësohet se në të ardhmen duhet të mbyllen këto probleme, për të shmangur rënien pre të opozitës ndaj mazhorancës së re. Mësohet se nuk kanë munguar as batutat e Olldashit i cili ka nënvizuar se “më duket se grupi i PD është jashtë kontrollit”. Batutë ndoshta dhe për shkak të nxitimit të aleatëve për të deklaruar mosdhënien e votës për Metën, çka e lë tërë peshën e rrjedhjes së votave në kurrizin e PD.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)