Rroshi, Alibeaj: Zgjedhja e Ramës
dihet, janë trafikantët dhe vrasësit

Rroshi, Alibeaj: Zgjedhja e Ramës<br />dihet, janë trafikantët dhe vrasësit
Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se i hapi rrugë të dënuarit për përdhunim, Elvis Rroshi, kryetar i Bashkisë së Kavajës, që të rikthehet në detyrë. Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj i kërkoi kryeministrit të dalë dhe të shprehet publikisht nëse është me dekriminalizimin apo krimin e organizuar. "E pyesim sot publikisht Edi Ramën. A i qëndron deklaratës së 31 majit, ku ka shpallur të përfunduar shërbimin e Rroshit? Apo i qëndron deklaratës së 3 qershorit ku ka njoftuar rikthimin e Rroshit? Ta thotë publikisht, është me dekriminalizimin, apo me krimin? Është me ligjin, apo me përdhunuesin? Është me qytetarët apo me trafikantin? Ta thotë sot, publikisht dhe me akte. Sa më shumë vonon shkarkimin e Rroshit dhe dorëzimin e tij para drejtësisë, aq më shumë i bind qytetarët se zgjedhja e tij është e palëkundur, se zgjedhja e tij është krimi, inkriminimi, trafikantët, tutorët, vrasësit", u shpreh Alibeaj​.
 
Sipas tij, pas rikthimit të Rroshit në detyrë, Rama u shpreh se nuk e njeh dekriminalizimin, ndryshe sa u shpreh kur ai dha dorëheqjen se e quajti të përfunduar mandatin e kryebashkiakut.
 
"Edi Rama një ditë thotë që dekriminalizimi funksionon, por të nesërmen thotë se nuk e njeh dekriminalizimin. Këtë qëndrim ka mbajtur ai përmes zëdhënësit zyrtar që ka për këtë fushë, Elvis Rroshi. Kur doli në publik fakti se kishte dënim në Itali për përdhunim në grup, Rroshi njoftoi dorëheqjen dhe Edi Rama nxori kokën pasditen e 31 majit duke e quajtur të përfunduar shërbimin e kryetarit të tij në Kavajë. Por 3 ditë më pas, me gojën e Elvis Rroshit, Edi Rama tha se nuk e njeh dekriminalizimin, dhe i hapi rrugën të dënuarit për përdhunim që të rikthehet në detyrë. Cilin Edi Ramë duhet të besojnë qytetarët, atë që thotë shërbimi i Rroshit përfundoi, apo atë që thotë Rroshi të rikthehet në detyrë. Ky është një problem më i madh, nuk është lojë kungulleshash. Ka të bëjë me ligjin, me të vetmen reformë të suksesshme në këto 3 vite që është dekriminalizimi", tha më tej, Alibeaj.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi