Ish kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi i është kundërpërgjigjur kryetarit të PD, Lulzim Basha. Përmes një statusi në Facebook, Rroshi shkruan se dënimin e tij në Itali e ka zbuluar vetë dhe se nuk ishin as Basha e as Berisha ata që hodhën dritë mbi të shkuarën e tij. Ai thekson gjithashtu, se zgjedhjet e parakohshme në Kavajë nuk do sjellin fitoren e Partisë Demokratike. "I jap fjalën Lules dhe Saliut se në Kavajë s'kanë për t'u kthyer kurrë fitimtare dhe kanë për ta marrë vesh mirë në zgjedhjet e parakohshme se nga Kavaja nuk i ka përzënë krimi po populli!", shkruan Rroshi. 
 
 Deklarata e plotë e Rroshit
"I kujtoj Lules së Shqupit se isha unë që dhashë dorëheqjen për një dënim në mungesë që e zbulova vetë. Nuk ishte as Lulja e Shqupit as Saliu i shporrur nga Kavaja që e zbuluan arsyen pse unë e dhashë dorëheqjen.
 
Unë jam dënuar si minoren në mungesë për diçka që nuk e kam bërë dhe s'kam bërë asnjë ditë burg. Nuk kam vrarë njerëz në Bulevard. Nuk kam grabitur paratë e buxhetit të shtetit. Nuk i kam ikur gjyqit me raporte mjekësore fallco si Lulja e Shqupit.
Unë nuk do t'i ndahem kësaj beteje dhe do ta fitoj pafajësinë ne Itali. Sepse sot s'jam me një kalama ne mëshirën e fatit dhe kam me vete te vërtetën dhe popullin e Kavajes që ma bën zemrën mal me mbështetjen në këto orë të vështira.
I jap fjalën Lules dhe Saliut se në Kavajë s'kanë për t'u kthyer kurrë fitimtare dhe kanë për ta marrë vesh mirë në zgjedhjet e parakohshme se nga Kavaja nuk i ka përzënë krimi po populli!
Shqiptarët duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se nuk i vjen e keqja Shqipërisë nga Elvis Rroshi i dënuar padrejtësisht në mungese kur ishte 16 vjeç, si plot shqiptare në emigracion!
E keqja Shqipërisë i vjen nga politikanë që nuk dënohen dhe që janë kriminelët dhe hajdutët e vërtetë të këtij vendi. Po të ishte kaq i ndershëm Lulja i Saliut nuk e pengonte si qen e bir qeni reformën në drejtësi
!", shprehet Rroshi. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com