Rruga e opozitës për Kuvend, dy
mbledhje grupi që thyen bojkotin

Rruga e opozitës për Kuvend, dy<br />mbledhje grupi që thyen bojkotin
TIRANE - Pas një mungese të gjatë opozita më në fund u rikthye në Kuvend duke i dhënë fund bojkotit, të nisur nga muaji korrik i këtij viti. Por që parlamenti të plotësohej me pjesëmarrjen e të djathtës kërkoi kohë, teksa opozita iu drejtua dy herë mbledhjes së grupit të saj parlamentar.

Në orën 10:00 të paradites, një orë para nisjes së seancës plenare deputetët e PD-së u mblodhën në selinë blu, për të vendosur mbi kërkesën për shtyrjen e të gjitha projektligjeve në seancë dhe për të lënë të vetme debatin parlamentar si dhe votimin e rezolutës së PE-së. Një grup deputetësh iu drejtohen Kuvendit, e njëra ndër to edhe Mesila Doda, e cila gjeti rastin të flasë përpara medias.

“Sot qytetari shqiptar, përballet me shumë probleme dhe ne nuk kemi qenë në Parlament për t’i mbrojtur. Do duhet të kishim kthyer që në seancat e paera, megjithëse sot do votohet në rezolutë. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një jetë të qetë politike, bojkoti duhet të zhduket nga fjalori politik. Do kemi një opozitë reale, atje ku ka problematike”, tha Doda nga ambientet e jashtme të Kuvendit.

Brenda në Parlament, kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka i kërkon Konferencës së Kryetarëve heqjen e të gjitha pikave të rendit të ditës.

“S’mund ta konsiderosh të zakonshme, është bërë pas një bojkoti të gjatë,negociatave të gjata, me ndërhyrjen e ndërkombëtare. Kushdo është koshient që kemi të bëjmë me një ngjarje të jashtëzakonshme. Konferenca e Kryetarëve të caktojë mënyrën si do procedojmë, që fillimisht të trajtohet rezoluta se është kjo rezolutë që na kthen në parlament. Kërkuam një procedurë normale, se dhe mbrëmë vonë negociatorët ranë dakord që të jenë dy marrëveshje që nuk hanë debat, po që rezoluta do jetë e para. Jo se rendi i ditës është përcaktuar sot, por gjendemi para një rendi dite me pr/ligje të rëndësishme, si i marrjes së borxhit pa marrë leje nga kuvendi, ne jemi kundër, nuk duket normale. Këto projektligje të shtyhen, sot të miratohet rezoluta dhe nëse ka ndonjë marrëveshje s’kemi kundërshtim”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së. -

Por kjo kërkesë u kundërshtua nga grupi i PS-së, dhe bëri që opozita t’i rikthehet edhe njëherë selisë blu. Ndërkohë parlamenti e shtyu seancën për në orën 12 të mesditës.

Opozita iu rikthye për herë të dytë mbledhjes, e cila kryesohet nga kryetari i PD-së Basha.

Ora 12:00 kaloi e seanca parlamentare nisi vetëm me deputetët e mazhorancës. Pas rreth 20 minutash opozita përfundoi mbledhjen e saj të dytë, e sërish Edi Paloka u shpreh për median.

Qëndrimi ynë është për rezolutën, në atë parlament hyjmë për një rezolutë që nënshkruam së bashku. Diskutuam për mënyrën se si do të procedojmë në parlament”, tha Paloka.
 
Kështu më në fund, të gjithë deputetët e opozitës iu drejtuan parlamentit duke thyer bojkotin, i cili zgjati më shumë se 5 muaj.
 
Paloka: Në seancë vetëm për rezolutën. Konferenca nuk ndryshon rendin
Pas 5 muajsh bojkot parlamentar të opozitës, palët politike takimin e parë e patën në Konferencën e Kryetarëve dhe kjo pasi demokratët kërkuan ndryshimin e rendit të ditës të seancës së sotme. Por Konferenca mori vendimin për të vijuar me të njëjtin rend dite duke mos shtyrë asnjë nga projektligjet e kësaj seance, që është edhe e fundit për këtë sesion parlamentar.

Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka i cili argumentoi këtë kërkesë të demorkatëve. Sipas tij, rikthimi i opozitës në Kuvend pas bojkotit të nisur nga muaji korrik, u realizua vetëm pas nënshkrimit të draft-rezolutës së hartuar nga dy eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein. Në këto kushte, theksoi Paloka, kësaj rezolute i duhet thënë fokusi i veçantë, duke kërkuar njëherësh shtyrjen e pr/ligjeve të parashikuara për këtë seancë. Paloka tha se debati për këto projektligje do të linte jashtë vëmendjes së duhur rëndësinë e rezolutës.

Si rrjedhojë Konferenca e Kryetarëve e shtyu me një orë seancën.
 
Paloka: Të hiqen nga rendi pr/ligjet që hanë debat. Në fokus vetëm rezoluta
Ora 10:50 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka kërkoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për ndryshimin e rendit të ditës së seancës parlamentare. Sipas tij, rikthimi i opozitës në Kuvend për draft-rezolutën e PE është një ngjarje e jashtëzakonshme të cilës i duhet dhënë rëndësia e duhur. Me këtë argument Paloka tha se demokratët kërkojnë që të hiqen nga rendi i ditës projektligjet e tjera të cilat mund të hanë debat mes opozitës dhe mazhorancës. Paloka veçoi se PD-së ka kundërshti për pr/ligjin për huamarrjen, i cili është në rend dite, e kjo sipas tij do të linte jashtë fokusit rezolutën e nënshkruar nga të dyja palët.

Paloka: Ne, jo karagjozë. Në kuvend pavarësisht rendit të ditës
Por kërkesa e të djathtëve nuk është pranuar nga e majta. Paloka tha se kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi nuk ka pranuar ndryshimin e rendit të ditës, por shtoi se pavarësisht të gjithave, opozita do të jetë në këtë seancë. Këtë Paloka e vlerësoi si një shenjë jo të mirë!

“Zoti Ruçi s’e pranoi deri në këtë moment, kërkoi rendin e ditës pa ndonjë ndryshim sikur nuk ka ndodhur asgjë. Do më vinte keq që sot të fillohet me idenë që të injorojnë rezolutën, shpresojmë që edhe mazhoranca ka qenë e sinqertë dhe serioze në nënshkrimin e kësaj rezolute. Ne do të diskutojmë me grupin, ne jemi seriozë nuk jemi karagjoz, e kemi miratuar këtë rezolutë në grup. Nga konferenca e kryetarëve grupi i PS s’ka marrë ende një vendim për këtë rezolutë, pavarësisht nënshkrimit të mbrëmshëm duket që s’paskemi një vendim të grupit socialist.Fakti që kërkojnë ta trajtojnë si diçka ordinere të zakonshme nuk është shenjë e mirë. Nëse do të këmbëngulë me këtë rend dite ne kemi vendosur të hyjmë në këtë seancë dhe do e mbajmë pastaj do na duhet të hyjmë në diskutimet e projektligjeve dhe kaq”, tha Paloka.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)