Rruga ndër më piktoresket në Shqipëri e lënë në harresë, Isai: Do merren masa, po shqyrtojmë dy opsione (VIDEO)

Një ndër akset më të rëndësishme të vendit, ai Leskovik-Ersekë është plotësisht i amortizuar. Në të gjithë gjatësinë, rruga është e mbushur me gropa, në disa vende ka rrëshqitur, e ndërsa sinjalistika dhe standardet e sigurisë nuk ekzistojnë fare.

Banorë të zonës shprehen se prej vitesh në këtë rrugë nuk është bërë ndonjë ndërhyrje e mirëfilltë, përveç mbushjes së gropave, të cilat pas reshjeve të shiut hapen sërish. Ndër të tjera ata thonë se mungesa e rrugës ka penalizuar edhe turizmin në këtë zonë me potenciale e resurse të mëdha .

"Është e prishur, tejet e amortizuar. E ngushtë është. Ka pasur shumë pak investim. Ka pasur një mirëmbajtje për këto rrugë, por terreni i vështirë është. Shirat bëjnë të veten. T'i hedhësh shtresën e granilit, a çfarë i hedhin këto, për dy  ditë po ra shi ajo del jashtë funksionit. Ata që kanë makina nëse duan të shkojnë në Ersekë duhet të harxhojnë më shumë naftë sesa harxhojnë për të shkuar në Korçë. Kur vijnë turistët në Leskovik thonë vetëm për rrugën nuk vijmë më", tha një banor.

I pyetur për këtë çështje kryetari i bashkisë së Ersekës, Erjon Isai duke pranuar gjendjen e vështirë dhe amortizimin e rrugës, bën me dije se bashkia ka dy opsione për këtë aks. E para është shtrim i ri kapital i rrugës në gjurmën ekzistuese e tjetra është ndërtimi i një trajektoreje të re rruge, por pa devijuar pjesën piktoreske.

"Rruga Ersekë-Leskovik është një nga rrugët më të amortizuara dhe më të vështira për t'u bërë. Por është rruga në mos më e bukur dhe piktoreske në Shqipëri.  Në këto 2 muaj që unë jam në detyrë kemi dy opsione që po i negociojmë me qeverinë. Një mundësi është një shtrim i ri kapital i rrugës në gjurmën ekzistuese e cila është një mundësi që mund të preket më shpejt sesa tjetra e cila është ndërtimi i një trajektoreje të re rruge, por pa devijuar pjesën piktoreske të pyllit të Gërmenit dhe Çeleburit. Pjesa më e mundshme e prekshme që unë besoj  mund të bëhet e mundur vitin tjetër është shtrimi dhe zgjerimi  me sinjalistikë të plotë të gjurmës aktuale të rrugës Ersekë-Leskovik", tha Isai.

Ky aks prej 42 kilometrash,  lidh dhjetëra fshatra me qytetin e Leskovikut dhe Ersekës.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë