Edhe pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ana e Presidencës lidhur me udhëtimin më të fundit të presidentit Ilir Meta, mësohet se kreu i Shtetit ka udhëtuar sot drejt Bakusë, kryeqytetit të Azerbajxhanit.

Por gjatë qëndrimit të përkohshëm në Stambolli, ai është fotografuar në shoqërinë e ambasadorit të Shqipërisë në Ankara, Genti Gazheli.

Ky i fundit, në fotografinë që ka publikuar në rrjetet sociale shkruan: “Sot në Stamboll , pata nderin të mirëprisja Presidentin e Republikës Zotin Ilir Meta”.

Azerbajxhani është një vend kyç për Shqipërinë për sa i takon projektit TAP (investimi më i madh i huaj në vend), pasi është vendburimi i gazit natyror, që do të kalojë edhe në vendin tonë, për të furnizuar një pjesë të mirë të Evropës.

Ndërkohë, në Tiranë, qeveria vazhdon të presë që presidenti i Republikës të japë autorizimin që MEPJ të mund t’i japë plotfuqinë grupit negociator me Greqinë, për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare mes dy vendeve.

meta

Në foto presidenti Ilir Meta dhe ambasadori i Shqipërisë në Turqi Genti Gazheli

s.k/Shqiptarja.com