'Rrugës për Skoci, qëndruam në Austri, ku djali i Kadri Hazbiut la një zarf të mbyllur…' Denoncimi i shokut të skuadrës së “Dinamos

'Rrugës për Skoci, qëndruam në Austri, ku djali i Kadri Hazbiut la një zarf të mbyllur…' Denoncimi i shokut të skuadrës së “Dinamos

Pjesa e katërt

“Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna? Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.

Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.

Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dosieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, i’a ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!

Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al.

                                           Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, YLLI BIRÇE, ME TË DHËNAT E SHOKUT TË SKUADRËS SË “DINAMOS”, PËR LËVIZJET E AGRON HAZBIUT, KUR ISHTE PËR NDESHJE JASHTË

                                                                                                S e k r e t                                                                                                                                                 Ekzemplar Nr. 1

                                                                                      Tiranë, më 2.2.1983

           Shënim Operativ

Më datën 2.2.1983, së bashku me Punëtorin Operativ, Hektor Çiraku, u takova me bashkëpunëtorin “Plazhi” i cili ndër të tjera, lidhur me Agron Dautin (djalin e armikut Kadri Hazbiu), na tha këto gjëra: “Mbi arrestimin e armikut Feçor Shehu, Agroni në prezencë të dy tre sportistëve të tjerë të Klubit “Dinamo”, tha se: “Kush ja ka me hile kësaj Partie, kështu e pëson”.

Aty nga fillimi i muajit tetor 1982, Agron Dauti, i cili ishte shtruar në Spitalin Ushtarak dhe më kujtohet mirë, ka qenë ditë e premte, (pikërisht dita kur armiku Kadri Hazbiu u shkarkua nga detyra e ministrit të Mbrojtjes) unë së bashku me Vasillaq Zërin, shkuam për ta parë Agronin, në spital, duke mos ditur gjë për të atin e tij.

Porsa hymë në dhomë, Agroni na pyeti nëse dinim gjë. Neve i thamë se nuk dinim gjë dhe në këtë kohë Agroni na vuri në dijeni se babai i tij ishte shkarkuar nga detyra e ministrit dhe ndodhej në shtëpi.

Ne vazhdoi Agroni, jemi të edukuar me mësimet e Partisë dhe pavarësisht prej gabimeve të babait, nuk na ndan asgjë prej saj, babai le të përgjigjet për ato që ka bërë. Ne mbetëm si të hutuar nga kjo gjë dhe pasi ndenjëm edhe pak, u larguam prej tij.

Di se Agroni ka pasur dëshirë që të hynte në relata dashurie me T.S., dhe këtë donte ta rregullonte me anën e një ndërmjetësi. Më vonë kam mësuar se si ndërmjetës ndërmjet tij dhe T.S., ka hyrë vajza e K.D., (element antiparti, shënimi ynë. Y.B.).

Agron Dautaj ka pasur miqësi me mua (B.p.“Plazhi”), Halit Gegën, Vasillaq Zërin, Albert Musain, Ilir Luarasin, Ilir Pernaskën, Arben Vilën dhe ndonjë tjetër, që tani nuk më kujtohet.

Di gjithashtu, se kur ekipi i “Dinamos” kur vajti në Skoci më 30 shtator 1982, Agroni ka fjetur në një dhomë së bashku me mua dhe Vasillaq Zërin, ndërsa në Skoci dhe në Hungari, ka fjetur në një dhomë me Halit Gegën.

Gjatë kohës që qëndruam në Austri, Agroni së bashku me mua dhe me Vasillaq Zërin, shkuam në ambasadën tonë në Vjenë, ku Agroni la një letër të mbyllur në një zarf, por unë nuk e di, se nga kush dhe kujt ja la këtë letër.

Po atë ditë, në darkë, që të tre kemi vajtur në ambasadë për darkë tek një i quajtur Dëfrim (ky ka qenë radist pranë armikut Kadri Hazbiu, para se të shkonte me punë në ambasadën në Vjenë, shënimi im Y.B.).

Di gjithashtu se natën e dytë, Agroni së bashku me Aleko Bregun, kanë qenë për darkë në ambasadën tonë në Vjenë, tek një person i quajtur, Kujtim Brati.

Agron Dauti, ka pasur shumë shoqëri edhe me Shkëlqim Skifterin, nëpërmjet të cilit, jam njohur edhe unë me të. Kam mësuar se i ati i Shkëlqimit, ka qenë gjuetar dhe shok me armikun Kadri Hazbiu.

Kur Agroni u fejua në vitin 1982, qerasi të gjithë ekipin me llokume, ndërsa mua, Ilir Përnaskën, Vasillaq Zërin, Shyqëri Ballgjinin dhe Halit Gegën, na ka ftuar për drekë në shtëpinë e tij, ku kemi qëndruar për një orë e gjysëm. Prezent ka qenë dhe motra e tij.

Kur gjatë muajit janar 1982, u hapën fjalë për armikun Mihallaq Ziçishti, unë në bisedat me Agronin, e pyeta nëse ishin të vërteta fjalët që dëgjonim, kurse Agroni tha se: “Janë parulla që i përhap elementi armik, me qëllim”.

“Unë, vazhdoi B.p. “Plazhi”, mund të kem dhe gjëra të tjera, por nuk i kujtoj ose, nuk i vlerësoj, prandaj edhe ju po të dini ndonjë gjë, bëni mirë të ma kujtoni dhe unë ua sqaroj. Unë Agronin e kam takuar vetëm në spital dhe në asnjë rast tjetër më vonë. Kam mësuar se është në Kurbnesh.

Nisur nga ky fakt, nga ana jonë iu tha që të mendohej edhe njëherë me kujdes, duke i parë gjërat me syrin e sotëm dhe ju la takim ditën e hënë, më datën 7.2.1983, rreth orës 9, po paradite.

Në të njëjtën kohë, B.p. “Plazhi”, pyeti edhe për qëndrimin që duhet të mbante, në rast se ndonjë person i dërgonte të fala nga ana e Agronit, për çka u sqarua nga ana tonë. Ky fakt na tërhoqi vëmendjen, nisur edhe nga e dhëna e Degës së Punëve të Brendshme, Rrëshen, datë 10.1.1983, që bën fjalë për të quajturin Robert Pandeli Mella, të cilin Agroni e ka dërguar tek B.p. “Plazhi” dhe tek Halit Gega, që këta të fundit, t’i japin një palë “pinca dhe një sqepar, si dhe lekët, që B.p. “Plazhi”, i kishte borxh”.

Sqarim:

Ilir Përnaska, ish-futbollist i “Dinamos” dhe aktualisht me banim dhe me punë në Tiranë. Njihet si njeri i shthurur dhe Agroni ka qenë tifoz personal i Ilirit, para se të luante dhe vetë futboll.

Shyqëri Ballgjini, ish-futbollist i “Dinamos”, aktualisht luan me skuadrën “Lokomotiva” e Durrësit.

Halit Gega, është futbollist i “Dinamos”, është me origjinë nga Tropoja, ish-nxënës në shkollën e Sigurimit dhe përjashtuar prej saj.

futbollist i “Dinamos”, banon në Tiranë dhe njihet si njeri serioz.

Arben Vila, njohur me Agron Dautajn, qysh përpara, për faktin se, babai i tij, Bet Vila, ka qenë zv/drejtor i Klubit “Dinamo”.

Shkëlqim Skifteri, është këpucar i Klubit “Dinamo”.

Kam mendimin, se Vasillaq Zëri dhe vajza e elementit antiparti, K.D., të pyeten se çfarë dinë rreth djalit të armikut Kadri Hazbiu, Agronit dhe në varësi rreth të dhënave që do të dalin, të kolaudojmë, për detyra dhe ndjekje të mëtejshme.

                 Punëtori Operativ

                               Ylli Birçe

DOKUMENTI SEKRET I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRËSHENIT, BAJRAM PELO, ME UDHËZIMET PËR NDJEKJEN E SURVEJIMIN E AGRON HAZBIUT

MIRATOHET                                                                             S E K R E T

KRYETARI I DEGË SË P. TË BRENDSHME                        EKZEMPLAR I VETËM

BAJRAM PELO                                                               RRËSHEN, MË 19.4.1983

                                         PLAN – DETYRA

PËR MBAJTJEN NËN KONTROLL TË OBJEKTIT NË PËRPUNIM PARAPRAK, AGRON HAZBIU, QË DO TË VIJ NË QYTETIN E RRËSHENIT

Agron Hazbiu, është lidhje (djali) familjare e armikut Kadri Hazbiu, i cili është në përpunim paraprak për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor.

Agron Hazbiu, ka kërkuar leje për të ardhur nga qyteti i Kurbneshit, për në atë të Rrëshenit, për nevoja familjare të justifikuara, pasi do të tërheq disa ilaçe për të ëmën e tij, Hedijen, e cila është e sëmurë, e nga ana jonë, do t’i jepet leje, më datën 20.4.1983, e të kthehet brenda ditës në qytetin e Kurbneshit.

Me qëllim, që nga ana jonë të fiksohen kontaktet e tij rrugës nga qyteti i Kurbneshit për në qytetin e Rrëshenit dhe anasjelltas, nëse do të marrë kontakte me lidhjet e tij në Rrëshen, si me burrin e motrës, Medi Çollakun, që është me banim në këtë qytet, do të merren këto masa agjenturore-operative.

Në bazë të kodit të caktuar për lëvizjet e lidhjeve familjare të armikut Kadri Hazbiu, do t’i thuhet punëtorit të Policisë Kurbnesh, Preng Tuci, që të na njoftojë mbi orën e nisjes së tij, kjo me qëllim që të dihet përafërsisht ardhja e tij në qytetin e Rrëshenit, e në qoftë se nuk vjen, të merren masa të menjëhershme verifikimi, se ku ka qëndruar.

Kryen Punëtori Operativ, Mihal Monka, më datën 19 e 20.4.1983.

Do të aktivizohet shoferi i autobuzit që sjell pasagjerët nga Kurbneshi në Rrëshen, për ta mbajtur nën kontroll për gjatë gjithë rrugës, si në ardhje dhe në kthim, për të fiksuar takimet me persona të tjerë, e në qoftë se konstaton se do të ndalojë në rrugë, të njoftoj në telefon në linjën më të afërt, ndalesa e autobuzit, të jetë e justifikuar.

 Kryen Punëtori Operativ, më dt. 19 e 20.4.1983

Në qytetin e Rrëshenit, do të merren në vëzhgim nga Punëtorët Operativ Ylli Tabaku e Petraq Peri, duke aktivizuar edhe qytetarët: P. Kaçorri, M.P., Xh. Muça, për të fiksuar kontaktet e lëvizjet e tij në qytetin e Rrëshenit.

Kjo me qëllim që në perspektivë, të studiohen e shfrytëzohen sipas interesit operativ këto lidhje, e në qoftë se konstatohet se ai do të shkojë në shtëpinë e Medin Çollakut, menjëherë do të shkohet në pikën e përgjimit, për të përgjuar bisedat e tyre, në bazë të miratimit përkatës.

Kryen P.Op. H. Vata dhe Y. Tabaku, më 20.4.1983

Në qoftë se, objekti do të largohet brenda ditës që në qytetin e Kurbneshit, në banesën e tij do të bëhet përgjimi i bisedave, mbi bazën e miratimit përkatës, për të mësuar mbi reagimet e Agronit, kontaktet me interes që ai do të tregojë t’ëmës, vëllait dhe motrave.

Kryen P.Op. M. Monka dhe H. Vata, më 20.4.1983

Nga zbatimi i këtyre detyrave, do të kontaktohen të gjithë personat që do takoj objekti, për t’i studiuar e shfrytëzuar sipas interesit operativ.

                     PUNËTORËT OPERATIV

                   Mihal Monka Ylli Tabaku

Dokumenti sekret me raport-informacionin e përpiluar nga Punëtori Operativ, Mihal Monka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Shënjuesi”, për ndjekjen e survejimin e Agron Hazbiut

              Mori: P.Op. Monka

                                                                                                Dha: “B.p. “Shënjuesi”

                                                                                                    Në natyrë

                 Raport i datës 21.4.1983

Burimi njofton se, më datën 18.4.1983, ai ishte turni i parë dhe rreth orës 15.20, ishte në horizontin e nivelit – 200 dhe pa Agron Hazbiun duke u futur në galeri, dhe në këtë vend, Agroni u takua me Luigj Gjinin, e më pas me Martin Mardhoçin, ku dhe këta të dy, ishin turni i parë, e Agroni ishte turni i dytë.

Meqenëse u hap kafazi, ai u fut në të së bashku me Luigjin dhe Martinin. Ai i tha Martinit se; ku njihesh me Agronin, Martini i tha atij, se ja si tifoz i Dinamos, e njihemi këtu në minierë, bile njëherë, më ka thënë se të jap një letër, që të njihesh me lojtarët e “Dinamos”.

Mos ja merr për bazë njeri tha ai, edhe unë këtë mendim kam, tha Martini, pasi dolën nga kafazi, ai po bisedonte me Luigjin, mbasi Martini iku para tyre. Gjatë bisedës, ai i tha Luigjit; dhe ti tifoz i “Dinamos” je, çfarë thotë Agroni për sportin, Luigji u shpreh, se çfarë do të thotë, iku ajo punë, bisedojmë ndonjëherë, kur ta takojmë kështu si e takuam sot.

Ai i tha, po për të atin, çfarë thotë, Luigji i tha atij se, e kam pyetur njëherë dhe Agroni më ka thënë se, më shumë e keni parë ju në televizor, se sa kemi qëndruar ne me të, njëherë në dy muaj e takonim, në këtë moment, ata dolën jashtë dhe e lanë bisedën.

“Shënjuesi”

           Sqarim:

Martin Mërdhoçi, është nga fshati Kurbnesh, Luigj Gjinaj, është nga fshati Lufaj, janë në përbërje të mirë politike, punojnë në një brigadë me Petrit Hazbiun. Luigji ka informuar për Agronin.

     Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë operative, se bën fjalë për lidhjet shoqërore të Agron Hazbiut në minierën e bakrit Kurbnesh, i cili justifikohet për të atin, se me të, shiheshin një herë në dy muaj.

                 Detyra e dhënë B.p.

Ju dha si detyrë që, të fiksojë dhe të sqarojë kontaktet që do të organizojë Agroni, me persona të tjerë në minierën e bakrit Kurbnesh.

                    Masat Operative:

Të mbahen afër Martin Mërdhoçi dhe Luigj Gjini për të mësuar se çfarë do të ekspozojnë për Agron Hazbiun.

E dhëna të shtypet në dy kopje, një për Agron Hazbiun dhe një për grupin Operativ.

                                   Punëtori Operativ

                                      Mihal Monka

Shënim: Bashkëpunëtori të afrohet me Martin Mërdhoçin dhe Luigj Gjinin, e sipas rastit, të kontrolloj lëvizjet e tyre gjatë punës, po kështu dhe ndonjëri nga këta mund të afrohet.

Do bërë kujdes se, po vjen vera dhe ambienti pyllëzohet dhe mos ndonjëri bën ndonjë akt. Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë