Policia Rrugore e Dibrës ka bërë bilancin për dy javët e fundit të muajit mars. Përmes një njoftimi shërbimet e Policisë bëjnë me dije se kanë kryer monitorim intensiv me dronë, radarë dhe mjete inteligjente në të gjitha akset rrugore të qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja, si dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë këtij harku kohor bëhet me dije se 511 drejtues automjetesh janë gjobitur për shkelje të Kodit Rrugor, mes tyre: parakalim të gabuar, në timon nën efektin e alkoolit, mosvendosja e rripit të sigurimit etj.

Ndërkohë në pranga u vendos një shofer i cili u kap në timon në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Në mbështetje të patrullave të Policisë Rrugore të Dibrës, janë angazhuar edhe grupe nga Drejtoria e Policisë Rrugore. Si rezultat i monitorimit, gjatë 2 javëve të fundit të muajit mars, është arresruar në flagrancë 1 shtetas pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, si dhe janë ndëshkuar administrativisht 511 drejtues mjetesh, konkretisht:

148 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;

156 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;

28 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;

4 drejtues motomjetesh, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

15 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

5 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;

6 drejtues mjetesh, për xhama të errët, të pahomologuar dhe pa dokumentacionin përkatës;

149 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Dibrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes maksimal, pasi çdo shkelje mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor është detyrim për çdo përdorues të rrugës dhe një element thelbësor për parandalimin e aksidenteve, si dhe për garantimin e sigurisë për të gjithë.