TIRANË- Të gjitha lejet e lëshuara të gjuetisë dhe përdorimit të zonave të gjuetisë në Shqipëri do të pezullohen.

Diçka e tillë është vendosur ditën e djeshme përmes ligjit për “Shpalljen e Moratoriumit të Gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.
  
Në një peridhë 2-vjeçare do të hartohet plani i masave për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër në përputhje me Udhëzuesin për Gjuetinë e Qëndrueshme sipas Direktivës së Shpendëve të Komisionit Evropian, Kartës Europiane të Këshillit të Evropës për Gjuetinë dhe Biodiversitetin, Konventës së Bernës “Për ruajtjen e jetës së egër dhe të habitateve natyrore Evropiane” si dhe Konventës së Bonit “Për llojet migratore”.
 
Masat merren nisur nga situata kritike e popullatave të faunës së egër në Shqipëri dhe humbja e diversitetit të llojeve.
 
Përmes një njoftimi për shtyp bëhet e ditur se, “nga sot, Ministria e Mjedisit, do të bashkërendojë punën me Ministrinë e Punëve të Brendshme, doganat dhe tatimet për kontrollin e armëve të gjahut për një periudhë 2-vjeçare, afat kohor ky, i domosdoshëm për inventarizimin, planifikimin, rehabilitimin dhe mbarështimin e faunës në Republikën e Shqipërisë”.

Brenda kësaj periudhe do të rishikohen aktet nënligjore të ligjit “Për gjuetinë” në Republikën e Shqipërisë, procedurat për dhënien e lejeve të gjuetisë, do të rishikohen zonat e gjuetisë etj.

Statusi për funksionimin e një federate gjuetie në nivel kombëtar, “mbetet prioritet i punës së kësaj Ministrie me qëllim shmagjen e kaosit të krjiuar gjatë këtyre viteve”.

Zëvendës Ministrja e Mjedisit, Diana Bejko, bën me dije se, “I gjithë ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministritë e linjës, Federatën e Gjuetarëve të Shqipërisë dhe gjithë palët e interesuara, me qëllim planifikimin e qëndrueshëm të gjuetisë në vitet e ardhshme për arritjen e standarteve të BE-së”.

Sipas Bejkos, “ashtu si në të gjitha vendet e BE-së, e drejta e shoqërisë shqiptare për shfrytëzimin e pasurive natyrore duhet të shkojë deri në pragun e sanksionuar në ligj”.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)