Drejtuesi politik i PS të qarkut Fier, Gramoz Ruçi, njëherësh kandidat për deputet në Fier, ishte sot i pranishëm në fshatin Peshtan, Levan, ku pati një takim me banorët. Në fjalën e tij, Ruçi u ndal te vaksinimi, ku bëri me dije se që nga nisja e vaksinimit masiv, në qarkun e Fierit janë vaksinuar deri më tani 9800 persona.
Ai i bëri apel të moshuarve mbi 70-vjeç që të vaksinohen, në mënyrë që të ecet përpara me grupmoshat e tjera, për të fituar betejën me koronavirusin.
"Brenda këtyre ditëve janë vaksinuar në qark 9800 vetë. I bëj apel 70-vjeçarëve që të mbajnë kontakt me mjekët e familjes që ta mbarojmë vaksinimin me këtë grupmoshë dhe më pas të kalojmë te grupmoshat e tjera që ta fitojmë këtë betejë. Partitë politike që janë në pushtet duhet të mosvotohen nëse nuk kanë bërë gjë dhe të votohen nëse kanë bërë ato që janë angazhuar të bëjnë", tha Ruçi.
Më tej ai kërkoi votat për PS, duke argumentuar se i duhet një mandat i tretë në mënyrë që të përfundojë procesi i rindërtimit, të fitohet lufta me koronavirusin dhe të vijohet përpara me reformën në drejtësi.
"Në 5-vjeçarin e fundit këtu në Fier, ne jemi ndalur në disa blloqe siç është inferstruktura rrugore, e energjisë elektrike,e ujit, ajo arsimore e shëndetësore. Këto kanë qenë shtyllat kryesore që janë marrë në 5 vitet e fundit. Votoni PS që të përfundojmë këto dy beteja të mëdha, rindërtimi dhe pandemi. Kërkohet të votohet edhe për përfundimin e Reformës në drejtësi, që problematikat që kanë në fshat me energjinë, ujin e pijshëm, institucionet arsimore, të përfundohen e të bëhen në shërbim të qytetarëve që janë", shtoi Ruçi.