Ruçi përshëndet 75 vjetorin e çlirimit të Sarandës: Meritë e partizanëve dhe aleatëve britanikë

Ruçi përshëndet  75 vjetorin e çlirimit të Sarandës: Meritë e partizanëve dhe aleatëve britanikë

 Kryetari i Kuvendit, me anë të një letre përshëndeti banorët e Sarandës dhe ish partizanëve të Brigadës 12,14 dhe 19 me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të qytetit.

Ruçi ndër të tjera ka thënë se Saranda është model i bashkëjetesës etnike e fetare, ndërkohë që për çlirimin e Sarandës Ruçi ka thënë se është meritë e partizanëve dhe aleatëve britanikë.

Më tej Ruçi në shkrimin e tij ka thënë se Shqipëria  demokratike ka në themel antifashizmin.

Urimi i plotë i Ruçit:

“Unë kam  një arsye më shumë të gëzoj, të festoj dhe tju përshëndes në këtë 75 vjetor. Për dy legjislatura rrjesht, ju, qytetarët e Sarandës më kini nderuar duke më zgjedhur përfaqësuesin tuaj në Kuvendin e Shqipërisë.

Saranda ka qenë dhe do të jetë, në të gjitha kohërat, shtëpia e përbashkët e të gjithë banorëve të saj, pavarësisht dallimeve politike, ekonomike, etnike, fetare a krahinore.

Bashkëjetesa etnike e fetare rrezatohet më mirë e më bindshëm këtu në Sarandë.

Atë vlerë me të cilët ne, shqiptarët, mburremi para botës, e kini mbrujtur, ju sarandiotët, shqiptarë e grekë, muslimanë e bektashinj, ortodoksë e katolikë, lebër, çamë, vllehë, bregdetas e vurkarë.

Sot është dita që të gjithë bashkë tu shprehim nderimin tonë të thellë luftëtarëve të Brigades 12, 14 dhe 19 të Ushtrisë partizane, të cilët më 9 tetor të vitit 1944 çliruan Sarandën nga pushtuesit gjermanë.

Sot është dita të përkulemi para kujtimit të 11 dëshmorëve të Atdheut, që ranë heroikisht në betejën për çlirimin e Sarandës.

Të kujtojmë me nderim luftëtarët e kompanisë parashutiste të Forcave Mbretërore Britanike, të cilët luftuan për çlirimin e Sarandës, krahas partizanëve shqiptarë,të përkulemi para kujtimit të 6 ushtarëve britanikë që dhanë jetën për çlirimin e qytetit dhe të cilëve Saranda dhe gjithë Shqipëria u janë përjetë mirënjohës.

Çlirimi i Sarandës dhe një ditë më vonë edhe i Delvinës, janë meritë e Brigadave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, aleate e denjë e Ushtrisë së Kuqe, Marinës dhe Flotës Amerikane, Marinës e Ushtrisë Britanike.

Ky koalicion i madh antifashist, nuk ishte një protokoll sallonesh, por një bashkim forcash dhe energjish të popujve kundër fashizmit, rrezikut më të madh të kohës.

Për çlirimin e Sarandës luftuan krah për krah partizanët shqiptarë e minoritarë grekë, italianë, anglezë e asirianë. Beteja  për çlirimin e Sarandës është një simbolikë e fuqishme e frymës internacionaliste, e cila frymëzoi antifashistët nga katër anët e Globit.

Në këtë koalicion të fuqishëm, i ka rrënjët aleanca e natyrshme e sotme e Shqipërisë me Shtetet e bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe gjithë botën e qytetëruar e demokratike.

Vlerat e antifashizmit, progresit dhe të lirisë përnbëjnë rrënjët e Shqipërisë së sotme demokratike.”, shkruhet në mesazhin e z. Gramoz Ruçi me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të Sarandës."

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë