MOSKË, 22 dhjetor /ATSH-AFP/ - Banka Qendrore e Rusisë njoftoi sot vendosien nën mbikëqyrje të bankës "Trust", së ciles do t'i jepen 30 miliardë rubla (430 milionë euro) për te evituar falimentimin që vjen për shkak të rënies së rublës.
"Kjo bankë renditet e 29-a në vend në aspektin e aksioneve dhe e 15-a për numrin e depozitave të individëve", sipas faqes së internetit të specializuar në këtë fushë, "Banki.ru".
Por Banka Qendrore nuk theksoi nëse vështirësitë e bankës "Trust" ishin të lidhura me rënien e rublës që ka dobësuar sistemin financiar të Rusisë.
Gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme, krerët e Bankës së Rusisë miratuan planin e shpëtimit.
Banka Qendrore ka shpallur një seri masash me qëllim garantimin e stabilitetit financiar të vendit, ndërsa qeveria ka përgatitur nga ana e saj një plan rikapitalizimi të sektorit bankar në nivelin e një mijë miliardë rublave (13 miliardë euro), të miratuar të premten nga Dhoma e Ulët e parlamentit, Duma.
Sektori bankar rus është shumë i ndjeshëm, me më shumë se 800 banka trashëgimtare të viteve postsovjetike dhe që disa prej tyre janë shumë të dobëta. Banka Qendrore dy vitet e fundit ka mbyllur disa dhjetëra prej tyre për të eleminuar elementët më të dobët të këtij sistemi./
/G.S/  a.jor.