Një gjeneral rus u vra mëngjesin e sotëm pasi pas shpërthimit të makinës së tij. Ngjarja u regjistrua në jug të Moskës, teksa sipas hetuesve një sasi lëndë shpërthyese i ishte vendosur poshtë makinës.

Fanil Sarvarov, kreu i Drejtorisë së Trajnimit Operacional të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, vdiq nga plagët e marra, tha Svetlana Petrenko, zëdhënëse zyrtare e Komitetit Hetues të Rusisë.

Njëra nga pistat e hetimit është se ngjarja u orkestrua nga shërbimet e inteligjencës ukrainase.

Kush ishte Gjenerali Sarvarov?

Gjenerali Sarvarov, 56 vjeç, lindi në rajonin e Permit, në Malet Urale dhe u trajnua në akademitë ushtarake të Forcave të Blinduara dhe Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë kësaj kohe ai ishte në krye të Drejtorisë për Trajnim Operacional në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vitin 2024, atij iu dha grada e gjenerallejtënantit nga Presidenti Putin. Midis viteve 1992 dhe 2003, ai mori pjesë në operacione luftarake gjatë konfliktit Oseti-Ingush dhe në operacione kundër terrorizmit në Çeçeni.

Në vitet 2015-2016, ai mori pjesë në ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri. Ai gjithashtu luajti një rol në pushtimin e Ukrainës, duke rezultuar në përfshirjen e tij në listën e "kriminelëve të luftës" të përpiluar nga portali ueb ukrainas Mirotvorets (Mbrojtësit e Paqes). Gjatë karrierës së tij, ai u vlerësua me shumë nderime, duke përfshirë Urdhrin e Guximit, Urdhrin e Meritës për Atdheun dhe Urdhrin e Meritës Ushtarake.

Që nga fillimi i ofensivës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kievi është dyshuar vazhdimisht se qëndron pas sulmeve të synuara kundër zyrtarëve rusë dhe zyrtarëve ushtarakë në Rusi dhe në territoret ukrainase të pushtuara ilegalisht nga Moska.

Në gusht të vitit 2022, një shpërthim makine në kryeqytetin rus vrau Daria Doguina, vajzën e ideologut ultranacionalist Alexander Doguin. Në prill të vitit 2023, një bloger ushtarak rus, Maksim Fomine , u vra pas një shpërthimi në një kafene në Shën Petersburg. Në prill, gjenerali Iaroslav Moskalik, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm Rus, u vra në një shpërthim makine pranë Moskës.

Dhe në dhjetor të vitit 2024, komandanti i Forcave Ruse të Mbrojtjes Radiologjike, Kimike dhe Biologjike, Igor Kirillov , u vra në shpërthimin e një skuteri elektrik të mbushur me eksploziv në Moskë, një veprim i marrë përsipër nga shërbimet e sigurisë ukrainase.