MOSKE-  Pas amnistisë së dhënë për manjatin e naftës Khodorkovski, presidenti rus Vladimir Putin, ka aprovuar edhe amnistinë për vajzat e grupit punk Pussy Riot.

Njëra nga pjesëtaret e këtij grupi Maria Alyokhina 25-vjeç, ka lënë paraditen e sotme, qelinë e burgut Nizhni Novgorod dhe këtë gjë e ka bërë të ditur avokati i saj Peter Zaikin, për agjencinë Ria Novosti.

Gjithashtu, pas mesditës së 23 dhjetorit, ka dalë edhe pjesëtarja tjetër e këtij grupi Nadezhda Tolokonnikova, 24 vjeç, e cila gjendej në spitalin e burgut në Krasnoiarsk në Siberi.

Pas daljes nga burgu, Alyokhina, gjatë një interviste për mediat ruse e ka komentuar këtë lëvizje të Putin si shenjë propagande dhe jo si shenjë humanizmi.

Vetëm 2 nga vajzat e grupit Pussy Riot, gjendeshin në qeli që prej gushtit të vitit 2012-të, ku po vuanin dënimin me dy vite burg, me akuzën e `vandalizmit të motivuar nga urrejtja fetare`.

Ato kishin krijuar një protestë, me një performancë artistike në Katedralen e Moskës, një lloj lutje kundër presidentit Putin.

Në atë kohë, vajzat e përgënjeshtruan akuzën, duke pohuar se kjo ndërhyrje e tyre në Katedrale, nuk kishte një domethënie fetare, por vetëm politike.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)