MOSKË, 1 korrik /ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Vladimir Putin vlerësoi sot se problemet e bankave franceze me SHBA-në kanë të bëjnë me një shantazh të ushtruar nga kjo e fundit kundrejt Parisit që të heqë dorë nga shitja e anijeve të luftës "Mistral" te Rusia.
"Ne jemi në dijeni të presionit që partnerët tanë amerikanë ushtrojnë mbi Francën që ajo të heqë dorë nga shtija e anijeve 'Mistral' drejt Rusisë dhe mbi faktin se nëse Parisi heq dorë, sanksionet mbi bankat do të hiqen ose reduktohen. A mund ta quajmë ndryshe, përveç se shantazh, këtë veprim?", shtoi ai.
Franca ka garantuar se do t'i përmbahet kontratës dhe 400 marinarë rusë mbërritën dje në portin francez "Saint Nazaire" ku u prodhuan luftanijet, që të ushtrohen me përdorimin e tyre.
Banka franceze "BNP Paribas" pranoi dje se ka realizuar veprime në dollarë me vende që janë nën embargon ekonomike të SHBA-së (Kuba, Iran dhe Sudan) dhe pranoi të paguajë gjobën rekord prej 8,9 miliardë dollarë për të mënjanuar ndjekje penale.
Përveç "BNP Paribas" edhe bankat "Société générale" dhe "Crédit agricole" rrezikojnë gjithashtu të gjobiten nga autoritetet amerikane./ /G.S/  a.jor.