MOSKË, 23 shkurt /ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Vladimir Putin përjashtoi sot një "skenar apokalipsi" për Ukrainën ku luftimet mes forcave ukrainase dhe separatistëve vazhdojnë në lindjen rebele, pavarësisht një qetësie relative.
"Mendoj se një skenar apokalipsi është pak i mundëshëm dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë kurrë", deklaroi Putin, në një intervistë të dhënë për televizionin publik "Rossia-1".
"Nëse marrëveshjet e Minskut për një armëpushim në lindje të Ukrainës dhe tërheqja e armëve të rënda nga linja e frontit janë respektuar, është një rrugë e sigurt drejt normalizimit të situatës në këtë rajon", theksoi ai.
Putin u kërkoi autoriteteve ukrainase të rikthejnë në normalitet jetën në këtë "vend të madh evropian" dhe të rivendosin marrëdhëniet me juglindjen e vendit në mënyrë të civilizuar.
Një armëpushim Ukrainë hyri zyrtarisht në fuqi më 15 shkurt, konform marrëveshjeve të Minskut 2 nënshkruar në kryeqytetin bjellorus pas një nate negociatash maratonë mes presidentëve rus, ukrainas, francez dhe kancelares gjermane.
Ushtria ukrainase dhe rebelët akuzojnë njëra tjetrën për shkelje të armëpushimit duke shtyrë tërheqjen e armëve të rënda parashikuar në marrëveshjet Minsk 2./
/ec/








