/ATSH-AFP/ - Zyrtarë të lartë ushtarakë kritikuan ashpër SHBA-në duke e akuzuar për financim të revolucioneve dhe zgjerim të NATO-s me qëllimin e vetëm për të kundërshtuar influencën e Rusisë në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Ndërsa po fliste në Moskë para një audience të përbërë kryesisht nga homologët e ardhur nga Koreja e Veriut, Greqi, por gjithashtu dhe nga Pakistani, ministri rus i Mbrojtjes, Serguei Choigou ia kushtoi fjalimin e tij kërcënimit amerikan.
"Ne jemi të shqetësuar pasi stabiliteti i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore ka filluar të degradojë", theksoi ai gjatë kësaj konference të përvitshme për sigurinë ndërkombëtare.
"Disa vende që konsiderohen si fitimtare të Luftës së Ftohtë tentojnë tu diktojnë vullnetin e tyre vendeve të tjera", nënvizoi Serguei Choigou.
Ne jemi një kthesë vendimtare e Historisë. Ne jemi ata që do të vendosim parametrat e sigurisë botërore", theksoi ai.
Choïgou, i cili përmendi disa herë shprehjen "disa vende" për t'iu referuar SHBA-së, akuzoi Uashingtonin për destabilizim të ish-Bashkimit Sovjetik dhe për tërheqjen e ish-republikave sovjetike jashtë zonës së ndikimit të Moskës.
"Objektivi kryesor është shkëputja e lidhjeve mes Rusisë dhe këtyre vendeve që janë të bashkuar nga kultura dhe historia e tyre", theksoi ai duke konfirmuar se amerikanët nuk hezitojnë të investojnë masivisht në vend apo të provokojnë revolucione popullore për të arritur qëllimet e tyre./