Ushtarakët rusë marrin pjesë në paradën ushtarake të Ditës së Fitores në Sheshin e Pallatit në qendër të Shën Petersburgut, më 9 maj 2026. Rusia feston 81-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Demonstrimi i fuqisë ushtarake ruse shihet tashmë vetëm në ekranet gjigante. Në Sheshin e Kuq, monitorët që transmetojnë video të parapërgatitura janë dyfishuar krahasuar me vitet e tjera, sikur të ishte e nevojshme të tregohej diçka që, për shkak të rrethanave, ceremonia live nuk është më në gjendje ta ofrojë.

Pamje luftimesh nga zona e “Operacionit Special Ushtarak” – tashmë është rikthyer tabu ta quash luftë – reportazhe të shkurtra nga njësitë raketore, mbrojtja kundërajrore, Marina dhe Aviacioni, ku nga një ushtarak i secilës armë jepen urime për Festën e Fitores. Më pas parada në vetvete, ku krahas reparteve të garnizonit të Moskës marshojnë edhe ushtarë të ushtrisë së Koresë së Veriut. Në paradë shfaqen edhe operatorët e dronëve, të cilët prezantuesi i quan “sisteme pa pilot”.

Vetëm 46 minuta zgjati ceremonia. Vetëm 8 minuta e 33 sekonda zgjati fjalimi i presidentit rus Vladimir Putin, përfshirë edhe minutën e heshtjes për të rënët rusë në të gjitha luftërat. Me kronometër në dorë, ishte fjalimi më i shkurtër i pesë viteve të fundit.

Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, kishte paralajmëruar si zakonisht “zhvillime të rëndësishme që e gjithë bota i pret”, por këtë herë askush nuk i besoi. Jo gjithmonë përsëritja funksionon.

“Ushtarakët e Operacionit Special po përballen me forcën agresive që armatoset dhe mbështetet nga i gjithë blloku i NATO-s. Përkrah ushtarëve rusë qëndrojnë punëtorë dhe projektues, inxhinierë, studiues, shpikës… Fati i vendit vendoset nga njerëzit: luftëtarë dhe punëtorë, punonjës të ndërmarrjeve bujqësore, artilierë dhe korrespondentë lufte, mjekë dhe mësues, përfaqësues të kulturës dhe të klerit, vullnetarë, sipërmarrës, filantropë. Të gjithë qytetarët rusë!”, deklaroi Putin.

“Mungonin vetëm postierët”, shkroi dikush me ironi në një faqe të pavarur ruse. Teknika e renditjes së pafundme të kategorive sociale, objekteve dhe profesioneve nuk është privilegj vetëm i disa politikanëve tanë vendas. Por kjo ishte edhe e vetmja risi e fjalimit të mëngjesit: një apel për unitetin e popullit, në një moment kur apatia që kishte mbuluar vitet e fundit duket se i ka lënë vendin zhgënjimit për fatin e konfliktit në Ukrainë.

Të fundit që u përmendën, sipërmarrësit dhe filantropët, në thelb janë oligarkët, të cilëve Kremlini po u kërkon një kontribut shtesë për financimin e luftës. Kjo ka krijuar pakënaqësi të përhapura dhe ka ushqyer zëra për grushte shteti apo kolaps të sistemit, megjithëse deri tani pa asnjë provë konkrete.

“Çelësi i suksesit është forca jonë morale, guximi dhe vlera jonë, uniteti ynë dhe aftësia për të përballuar çdo gjë. Për të kaluar çdo provë! Ne kemi një objektiv të përbashkët. Secili jep kontributin e tij për Fitoren. Ajo farkëtohet si në fushën e betejës, ashtu edhe në prapavijë. Jam plotësisht i bindur se kauza jonë është e drejtë! Jemi bashkë! Fitorja ka qenë dhe do të jetë gjithmonë me ne!”, tha Putin.

Pak gjëra të tjera kishte për t’u veçuar nga mesazhi i tij, i cili tregon se presidenti rus nuk ka ndryshuar asnjë milimetër nga vizioni i tij, pavarësisht ngërçit në front, përkeqësimit të dukshëm të ekonomisë ruse dhe treguesve më negativë që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Putin kërkon fitore dhe nuk duket se e konsideron mundësinë e një armëpushimi të vërtetë, përveç ndalimit aktual 3-ditor të luftimeve, i cili – siç pranohet edhe nga Moska – u bë i mundur edhe falë pranimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Për këdo që ka dyshime mbi synimet e ardhshme të Kremlinit, mjafton editoriali i agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti:

“Brenda katër vitesh gjithçka ka ndryshuar: fitorja nuk është më vetëm një kategori e së kaluarës, por një kusht për të ardhmen. Tani kjo është një luftë me Perëndimin për tokat ruse, për të ardhmen e gjithë Rusisë dhe jo vetëm të pjesës së saj perëndimore të quajtur Ukrainë. Duhet ta detyrojmë Europën të tërhiqet nga Ukraina, të ndalojë ndihmën ushtarake dhe financiare, pastaj Ukraina do të pranojë kushtet tona të paqes, fillimisht do të bëhet një shtet neutral dhe më pas do të rikthehet në orbitën e Rusisë: kjo do të jetë fitorja jonë”.

Vihet re se koncepti “Perëndim” tashmë kufizohet pothuajse vetëm te Europa, duke lënë jashtë Shtetet e Bashkuara të Donald Trump, i cili sot duket si karta më e mirë e Kremlinit për të arritur atë që dëshiron.

Pjesa tjetër ishte vetëm sfond: fytyra të lodhura, një nomenklaturë që shfaq qartë shenja plakjeje dhe rraskapitjeje politike.

Putin u ngjit në tribunë i shoqëruar nga aleati i tij besnik, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko. Në të djathtë të tij ndodheshin presidentët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit, prani të minutës së fundit, të sjellë në momentet e fundit për të shmangur boshllëkun e një ceremonie me pjesëmarrje gjithnjë e më pak të rëndësishme.

Më pas ishin figurat e zakonshme të pushtetit rus: kryeministri Mikhail Mishustin, kryetarët e dy dhomave parlamentare Valentina Matviyenko dhe Vyacheslav Volodin, ish-presidenti Dmitry Medvedev pranë Sergey Shoigu, si dhe kreu i shërbimeve sekrete Alexander Bortnikov përkrah drejtuesit të inteligjencës së jashtme Sergey Naryshkin, dy nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit aktual rus.

Një 9 Maj që deri vitin e kaluar ishte demonstrim force, ndërsa këtë vit kaloi si një detyrim që duhej mbyllur sa më shpejt, si ujë mbi gur./Corriere Della Sera