Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka kërkuar ndihmën e Australisë për hetimin e Robert Mueller, Prokuror Special në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, hetuesi i ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Sipas raportimeve të New York Times, Trump i ka bërë presion Kryeministrit Scott Morrison për të ndihmuar Ministrin amerikan të drejtësisë, William Barr, në gjetjen e provave për diskreditimin e këtyre hetimeve.
Presionet janë ushtruar gjatë një bisede telefonike, transkriptimi i së cilës është i disponueshëm vetëm për disa këshilltarë të presidentit Trump.
Qeveria australiane e ka konfirmuar bisedën përmes një deklarate në të cilën thuhet:
Qeveria Australiane ka qenë gjithmonë e gatshme të ndihmojë dhe bashkëpunojë me SHBA në përpjekjet për të hedhur dritë mbi hetimin”.
Nuk është rastësi që presidenti amerikan iu drejtua Australisë. Hetimi i FBI për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në të vërtetë filloi ka pasi disa zyrtarë australianë atë kohë raportuan se Moska kishte ndërhyrë në fushatën e Trump dhe publikimin e disa informacioneve me qëllim të keq për rivalen e Trump, Hillary Clinton.
Zbulimi i fundit vjen në kohën kur Trump po përballet me procedurat e shkarkimit, për shkak të një telefonate me një udhëheqës tjetër të huaj. Trump akuzohet për presion ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, për të hetuar për korrupsion rivalin e tij politik, Joe Biden, dhe djalin e tij.