Sulmet ruse në zonat përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, lanë të paktën 15 persona të vdekur, 27 të plagosur dhe shkaktuan dëme në magazina gjatë natës, njoftuan autoritetet e shërbimeve të emergjencës përmes aplikacionit Telegram. Alarmet ajrore zgjatën për më shumë se një orë në kryeqytetin me rreth 3 milionë banorë. Administrata ushtarake e Kievit bëri të ditur se shtatë zona të ndryshme të qytetit u goditën nga sulmet, të cilat nisën pak pas mesnate.

Autoritetet thanë se një person humbi jetën, 24 të tjerë mbetën të plagosur dhe disa ndërtesa pësuan dëmtime në zona të ndryshme të Kievit.

"Mund të ketë ende njerëz nën rrënoja", shkroi në Telegram kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, pasi ekipet e shpëtimit nxorën dy persona nga rrënojat e një magazine pranë qendrës së qytetit, e cila u shkatërrua gjatë sulmit.

"Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë", shtoi ai.

Mes 24 të plagosurve është edhe një drejtues ambulance, ndërsa katër prej të lënduarve ndodhen ende në gjendje kritike, bëri të ditur Klitschko.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi të mërkurën se kishte goditur qendra logjistike dhe pika furnizimi në Kiev dhe zonat përreth, duke pretenduar se ato përdoreshin për qëllime ushtarake.

Në raportin e saj të mëngjesit, Forca Ajrore e Ukrainës njoftoi se ushtria ruse kishte lëshuar gjatë natës katër raketa hipersonike Zircon, 24 raketa balistike Iskander-M dhe 115 dronë. Sipas autoriteteve ukrainase, mbrojtja ajrore arriti të shkatërrojë ose neutralizojë 98 dronë, por nuk rrëzoi asnjë nga raketat.

Kievi vijon t'i kërkojë Shteteve të Bashkuara më shumë raketa interceptuese Patriot PAC-3, versioni më i ri i sistemit Patriot dhe një nga armët e pakta që mund të neutralizojë raketat balistike të lëshuara nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë bisedimet për t'i mundësuar Ukrainës prodhimin e raketave Patriot, edhe pse presidenti Donald Trump ka shprehur dyshime mbi një marrëveshje të tillë. Këtë e konfirmuan katër burime të njohura me negociatat.

Klitschko tha se sulmet gjatë natës shkaktuan zjarre në magazina dhe ambiente depozitimi, ndërsa sqaroi se raportimet fillestare sipas të cilave një pallat 20-katësh ishte përfshirë nga flakët rezultuan të pasakta.

Ai shtoi se një zjarr i madh shpërtheu në periferi të qytetit, ndërsa mbetjet e një rakete të rrëzuar ranë pranë një godine banimi.

Administrata ushtarake e Kievit bëri të ditur gjithashtu se sulmi shkaktoi një rrjedhje amoniaku, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për neutralizimin e situatës.

Gazetarët e Reuters në terren raportuan se dëgjuan shpërthime në të gjithë qytetin. Sipas Klitschkos, njësitë e mbrojtjes ajrore u angazhuan menjëherë për të zmbrapsur sulmin.

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit gjatë javëve të fundit, duke ndërmarrë disa goditje vetëm gjatë muajit të kaluar. Ndërkohë, në territorin rus, Ukraina goditi një qendër logjistike të kompanisë ruse të tregtisë online Wildberries, duke iu shtuar më shumë se një duzine objektesh të ngjashme që pretendon se ka dëmtuar së fundmi.

Reuters nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur të gjitha raportimet nga të dyja palët. Si Rusia ashtu edhe Ukraina mohojnë se kanë në shënjestër civilët gjatë luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.