Rusia i zgjat paraburgimin gazetares së REL-it, ja për çfarë akuzohet

Rusia i zgjat paraburgimin gazetares së REL-it, ja për çfarë akuzohet

Gazetarja Alsu Kurmasheva gjatë paraqitjes para gjykatës në Kazan të Rusisë më 1 dhjetor 2023

Një gjykatë në Rusi zgjati masën e paraburgimit për gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila po akuzohet se ka shkelur ligjin për agjentët e huaj.

Gjykata në qytetin e Kazanit ia zgjati paraburgimin Kurmashevas, gazetares ruso-amerikane, deri më 5 prill. Seanca në gjykatën në qarkun Sovetski u mbajt prapa dyerve të mbyllura më 1 shkurt.

Avokati i Kurmashevas i kërkoi gjykatës që gazetares t'i ndryshohet masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpiak, por kjo kërkesë u refuzua.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar lirimin e menjëhershme të gazetares.

"Lajm i trishtueshëm për gazetaren amerikane Alsu Kurmasheva dhe familjen e saj, ata meritojnë të jenë së bashku. Alsu për katër muaj gjendet në një burg rus. Është e qartë se ajo po mbahet padrejtësisht sepse është amerikane dhe gazetare që guxon të bëjë punën e saj, që janë dy gjëra të patolerueshme për Moskën", tha më 1 shkurt presidenti i REL-it, Stephen Capus.

Kurmasheva - gazetare në selinë qendrore të REL-it në Pragë të Republikës Çeke me dyshtetësi, amerikane dhe ruse - kishte udhëtuar për në Rusi në maj për shkak të një emergjence familjare.

Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dyja pasaportat. Prej atëherë, ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.

Më 11 tetor, autoritetet e gjobitën Kurmashevan me 110 dollarë për shkak se kishte “dështuar t’i njoftonte zyrtarët rusë se mban edhe një shtetësi tjetër”.

Kurmasheva u arrestua sërish më 18 tetor nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj. Sipas ligjeve ruse, për një akuzë të tillë ajo mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.

Më 12 dhjetor, agjencia e lajmeve Tatar-Inform në Tatarstan dhe kanali Baza në Telegram, të dyja të lidhura me Qeverinë, thanë se Kurmasheva tani akuzohet për përhapjen e lajmeve “të rreme” për forcat e armatosura ruse, një akuzë që është e dënueshme me deri në 10 vjet burgim.

Grupi rus për të drejtat e njeriut, Memorial, e ka njohur Kurmashevën si të burgosur politike.

Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane e arrestuar në Rusi, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, ishte arrestuar marsin e vitit të kaluar dhe po pret nisjen e gjykimit nën akuza për spiunim, që ai, gazeta ku punon dhe Qeveria amerikane i mohojnë fuqishëm.

Moska është akuzuar se po i ndalon gazetarët amerikanë për t’i përdorur për këmbimin e tyre me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'