Në deklaratat për mediat pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Mar-a-Lago, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë kanë bërë përparim të madh. Ai tha se palët janë “shumë pranë një zgjidhjeje”, ndonëse mbeten ende “një ose dy çështje shumë të ndërlikuara”. Sipas Trump, statusi i Donbasit është një nga temat më komplekse, por ai beson se është “më afër zgjidhjes” se më parë, duke theksuar se Moska dhe Kievi janë afruar në qëndrimet e tyre.
Trump deklaroi gjithashtu se as Vladimir Putin dhe as Volodymyr Zelensky nuk e duan luftën dhe se është koha që konflikti të marrë fund. Ai u shpreh optimist edhe për mundësinë e një armëpushimi, duke shtuar se “të gjithë duan t’i japin fund luftës”. Presidenti amerikan vlerësoi rezistencën e ukrainasve, duke thënë se ata “luftojnë me zemër”, dhe nënvizoi se në bisedime janë përfshirë edhe liderët kryesorë europianë.
Nga ana e tij, Zelensky, konfirmoi se bisedimet me Trump kanë sjellë “rezultate të mëdha” dhe se Ukraina është e gatshme për paqe. Lideri ukrainas shtoi se ka patur dakordësi për 90% të draftit të marrëveshjes. Më tej njoftoi se në janar pritet një takim në Uashington me pjesëmarrjen e Trumpit, liderëve europianë dhe delegacionit ukrainas, për të finalizuar çështjet e mbetura. Zelensky tha gjithashtu se procesi do të vijojë përmes grupeve të punës dhe se, në rast të një plani kompleks paqeje, mund të shqyrtohet edhe mundësia e një referendumi.
Gjatë takimit mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt në Mar-a-Lago është zhvilluar një videokonferencë me liderët europianë për t’i informuar mbi ecurinë e bisedimeve. Në këtë videokonferencë mori pjesë edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili deklaroi se Europa mbështet plotësisht iniciativën e Shteteve të Bashkuara.
“Gjithçka është në zhvillim. Do të shohim nëse Putini do t’i pranojë propozimet. Çështja e sigurisë është themelore edhe për ne europianët. Europa duhet të jetë e bashkuar me SHBA-të për të mbyllur një sezon lufte”, u shpreh Tajani.
Para takimit, Trump pati një telefonatë me presidentin rus dhe u shpreh se ai është “shumë serioz për paqen”, duke shtuar se pas përfundimit të takimit me Zelenskyn do të zhvillojë një tjetër bisedë me liderin e Kremlinit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Mar-a-Lago për takimin me presidentin amerikan Donald Trump. Në mbërritje, Zelensky, i veshur me xhaketë për këtë rast, u prit nga Trump, me të cilin shkëmbyen një shtrëngim duarsh para mediave.
Pas takimit, Trump dha disa deklarata mbi zhvillimet diplomatike që lidhen me luftën në Ukrainë. Ai u shpreh se Presidenti rus Vladimir Putin është “shumë serioz për paqen”, duke shtuar se pas përfundimit të takimit me Zelenskyn do të zhvillojë një tjetër bisedë me presidentin rus.
Trump theksoi gjithashtu se pret një takim të mirë me presidentin ukrainas, ndërsa vlerësoi rolin e liderëve evropianë, duke deklaruar se “kanë qenë fantastikë” dhe se vendet evropiane janë në një linjë me marrëveshjen e mundshme.
“Kam zgjidhur tetë luftëra, kjo është e vështirë”, u shpreh Trump, por shtoi se negociatat ndodhen tashmë në fazën përfundimtare. Sipas tij, ekziston një mundësi reale për arritjen e një marrëveshjeje, pavarësisht kompleksitetit të situatës.

Donald Trump ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, para takimit që presidenti amerikan do të ketë sot me presidentin Volodymyr Zelensky, për planin e paqes në Ukrainë.
“Sapo pata një telefonatë të mirë dhe shumë produktive me Presidentin Putin të Rusisë, përpara takimit tim, në orën 1:00 pasdite sot, me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës. Takimi do të zhvillohet në sallën kryesore të ngrënies të Mar-a-Lago-s. Media është e ftuar. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!
Presidenti DJT”

Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm në zonën përreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia-s, në juglindje të Ukrainës, me qëllim lejimin e punimeve urgjente për riparimin e linjave të furnizimit me energji elektrike.
Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, e cila po monitoron punimet në terren. Sipas AIEA-s, riparimet synojnë rikthimin e transmetimit të energjisë mes centralit bërthamor dhe centralit termik aty pranë, një hap kyç për sigurinë bërthamore.
Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi, konfirmoi se palët kanë rënë dakord për një periudhë të përkohshme armëpushimi, duke lejuar punën e teknikëve për disa ditë. Ai falënderoi si Kievin ashtu edhe Moskën për bashkëpunimin, duke theksuar se ky veprim ndihmon në uljen e rrezikut të një incidenti bërthamor në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm.
Centrali i Zaporizhzhia-s, më i madhi në Evropë, ndodhet në qytetin Energodar dhe është nën kontroll rus që nga marsi i vitit 2022, megjithëse Ukraina dhe aleatët e saj e konsiderojnë këtë kontroll të paligjshëm. Linjat e dëmtuara të energjisë janë thelbësore për funksionimin e sistemeve të ftohjes dhe mekanizmave të sigurisë së impiantit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka propozuar më herët një model bashkëmenaxhimi të centralit mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, duke refuzuar përfshirjen e Rusisë si palë e barabartë, një ide që ka nxitur debate ndërkombëtare mbi të ardhmen e impiantit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka paralajmëruar se Rusia do të reagojë me forcë nëse do të sulmohet nga vendet evropiane, duke theksuar se një përgjigje e tillë do të ishte “shkatërruese”.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore TASS, Lavrov deklaroi se Moska nuk ka plane për të sulmuar asnjë vend evropian dhe se, sipas tij, nuk ka arsye që Evropa të frikësohet nga Rusia. Ai shtoi se shqetësimet e disa politikanëve evropianë janë të pabazuara, duke theksuar se “Evropa dhe Bashkimi Evropian janë bërë pengesë për paqen”.
Shefi i diplomacisë ruse nënvizoi se situata ndryshon vetëm në rast se Rusia sulmohet, duke paralajmëruar se çdo veprim ushtarak kundër saj do të pasohet nga një reagim i ashpër. Në këtë kontekst, ai kujtoi edhe deklaratat e mëhershme të presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka paralajmëruar për pasoja serioze në rast të sulmeve në thellësi të territorit rus, veçanërisht me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi.
Deklaratat e Lavrovit vijnë në një moment të ndjeshëm diplomatik, vetëm pak orë përpara takimit të paralajmëruar mes presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, që pritet të zhvillohet në Florida.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Keir Starmer, në lidhje me përgatitjet për takimin e ardhshëm me presidentin amerikan Donald Trump.
Zelensky njoftoi përmes një postimi në rrjetin social X se telefonata është zhvilluar gjatë qëndrimit të tij në Florida dhe se ka qenë një diskutim i detajuar mbi zhvillimet diplomatike dhe ushtarake. Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, Zelensky tha se ka informuar Starmerin për situatën në front dhe pasojat e sulmeve të fundit ruse në Ukrainë,
“E vlerësojmë shumë koordinimin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi Zelensky, duke falënderuar personalisht Starmerin për angazhimin e tij.
Komente




Pak dit perpara Rusia u godit me raketa britanike por nga Rusia nuk pati nji reagim,qe nga fillimi i luftes Ukraina lufton me armet e perendimit kurse Rusia sulmon apartamente ,transformatora dhe jo objekte kyce,kurse Ukraina sulmon objekte te naftes thell ne Rusi petja eshte me aq armatime qe ka Rusia dhe nuk ndodh asgje a din ti perdotin armet apo jo?
Përgjigju