RUSI- Rusia do të paraqesë sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projekt-rezolutë ku bën thirrje për një fund të menjëhershëm të dhunës në Ukrainë dhe krijimin e linjave të bashkëpunimit mes dy shteteve. Kjo u bë e ditur nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një konference për shtyp.

Lavrov ka thënë se vendet perëndimore e kishin siguruar Rusinë se situata në Ukrainë do të përmirësohej pas zgjedhjeve presidenciale të 25 majit, por sipas tij çdo gjë “po shkon në rrjedhë të kundërt”.

Në projekt-rezolutën drejtuar Këshillit të Sigurimit në OKB do të përfshihen edhe kërkesat për fillim të negociatave me qëllim krijimin e një armëpushimi të qëndrueshëm e të besueshëm mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov tha se ekziston një dispozitë në projekt-rezolutën e OKB-së për bisedimet që duhet të krijohen me qëllim që civilët të lënë zonat luftarake.

Ndërkohë, jo më larg se sot ka pasur një betejë të ashpër në kufirin Ukrainë-Rusi, pasi një trup ushtarak pro rus sulmoi një post të Ukrainës kufitare me armë automatike dhe granatë dore.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com
)