Ministria Ruse e Punëve të Jashtme reagoi me tone të ashpra ndaj mbledhjes së përbashkët të qeverive shqiptare dhe asaj Kosovare.

Sipas tyre, Tirana dhe Prishtina po përpiqen në planin e tyre për Shqipërinë e Madhe.

Ministria ruse tha se shikoi me shqetësim njoftimin e një mbledhjeje të përbashkët mes dy vendeve.

"Teza rreth domosdoshmërisë së 'fshirjes së kufijve' midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të mos shkaktojë shqetësim. Ne do të dëshironim t'ju kujtojmë se Kosova (dhe kjo është konfirmuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara) është një pjesë integrale e Serbisë dhe një interpretim i lirë i parimit të integritetit territorial kur bëhet fjalë për një vend sovran nuk mund të kuptohet ndryshe nga sa si ndërhyrje bruto në punët e saj të brendshme" thuhet në delaratën e botuar në faqen e internetit të Ministrisë Ruse.

Sipas tyre, njoftimi i qëllimeve të tilla dëmton procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, duke anuluar përpjekjet që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të ndërsjellë të pranueshme për problemin brenda dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Në të njëjtën mënyrë, Moska vlerësoi marrëveshjet e arritura në atë takim, të cilat parashikojnë "bashkimin" e Shqipërisë dhe Kosovës në fusha të shumta ekonomike.

"Ekziston një përshtypje e qartë se Prishtina dhe Tirana, pavarësisht nga natyra e dyshimtë e rrezikshme e afrimit të tyre, vazhdojnë të shtyjnë vijën e Shqipërisë së Madhe pa marrë parasysh se çfarë maskojnë planet e tyre. Veprime të tilla paraqesin një rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Ballkan," thekson ministria Ruse.

Mediat ruse shkruajnë gjithashtu se Moska pret një reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare, kryesisht nga Bashkimi Evropian, i cili ka një mision të ndërmjetësojë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.