Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë ka votuar me shumicë dërrmuese për tërheqjen e autorizimit për ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë. Votimi është bërë me kërkesë të presidentit rus, Vladimir Putin. Kremlini ka thënë se kjo ka për qëllim normalizimin e atmosferës dhe zgjidhjen e situatës në rajonet lindore të Ukrainës.
Ndërkohë autoritetet ukrainase thonë se separatistët pro-rusë pranë kufirit me Rusinë rrëzuan një helikopter ushtarak ukrainas, duke vrarë të paktën nëntë ushtarë.

Rrëzimi i helikopterit pranë qytetit lindor të Slovyanskit erdhi më pak se një ditë pasi rebelët njoftuan se do të respektonin një armëpushim të përkohshëm në përpjekjet e tyre për të fituar autonominë nga qeveria Kievit. Por Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, në një deklaratë, tha se rebelët kishin shkelur vetë ofertën e tyre të paqes. Ai gjithashtu urdhëroi forcat e qeverisë të hapin zjarr "pa hezitim" nëse sulmohen.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)