Në një situatë tejet të rëndë epidemiologjike për shkak të COVID-19, me një shkallë të lartë korrupsioni, rusët u janë drejtuar qendrave të votimit të premten për të zgjedhur 450 përfaqësuesit për në Dhomën e Ulët të Parlamentit, që njihet si Duma e Shtetit. Zgjedhjet do të zgjasin tri ditë, deri më 19 shtator.
Sipas zyrtarëve zgjedhorë, ky vendim është marrë për shkak të pandemisë së koronavirusit, por aktivistët e opozitës dhe disa ligjvënës liberalë thonë se masa është përpjekje e Kremlinit për të manipuluar pjesëmarrjen dhe për të sajuar një fitore të besueshme të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar.
Autoritetet kanë bllokuar nismën Votim në distancë, nëpërmjet internetit e cila mbështetet nga udhëheqësi i burgosur i opozitës, Aleksei Navalny. Sondazhet parazgjedhore nga Qendra e pavarur Levada kanë treguar se shumica e rusëve janë të pakënaqur me mënyrën se si funksionon Duma.
Rusia e Bashkuar ka shumicën në Dumën e Shtetit, por popullariteti i saj është aktualisht më i ulëti në gati dy dekadat e ekzistencës së saj. Edhe sondazhi shtetëror VTsIOM ka zbuluar se mbështetja për Rusinë e Bashkuar sillet në rreth 29 për qind. Për dallim, presidenti rus, Vladimir Putin, i cili nuk është anëtar i partisë, ruan popullaritet të gjerë dhe nuk ka rival të mirëfilltë politik.
Përveç Rusisë së Bashkuar, edhe tri parti të tjera kanë vende në Dumën e Shtetit. Më e fuqishmja është Partia Komuniste dhe dy të tjerat janë: Partia Liberale Demokratike e Rusisë dhe partia Një Rusi e Drejtë.
Vitin e kaluar, Duma ka miratuar ndryshime kushtetuese që i hapin derë Putinit të qëndrojë në pushtet përtej vitit 2024, por ai nuk ka treguar nëse do ta bëjë një gjë të tillë.