1761904918_lukoil.JPG

Kompania gjigante ruse e naftës Lukoil, me seli në Moskë, ka njoftuar shitjen e aseteve të saj ndërkombëtare te grupi zviceran Gunvor, duke përfshirë edhe fushën naftëmbajtëse West Qurna 2 në Irak.
Lajmin e raporton portali informativ “Iraqi News”, sipas të cilit aktivi kryesor i grupit rus jashtë vendit është pikërisht kjo fushë nafte në Irak, një nga më të mëdhatë në botë, ku Lukoil zotëron 75 për qind të aksioneve.

Sipas “Iraqi News”, fusha ka prodhuar mbi 480 mijë fuçi nafte në ditë në prill të këtij viti.
Gunvor Group, një multinacionale e specializuar në tregtinë e lëndëve të para energjetike, e regjistruar në Qipro dhe me seli tregtare në Gjenevë, ka paraqitur një ofertë zyrtare për blerjen e këtyre aseteve.

Lukoil ka konfirmuar se ka pranuar ofertën dhe është zotuar të mos zhvillojë negociata me blerës të tjerë të mundshëm. Megjithatë, transaksioni mbetet i varur nga miratimi i qeverisë amerikane.

Lukoil është kompania ruse me diversifikimin më të madh ndërkombëtar në sektorin energjetik, me impiante në disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë Kazakhstanin, Uzbekistanin dhe Azerbajxhanin, si edhe në Egjipt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gana, Nigeri, Kamerun dhe Kongo.

Më 22 tetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Lukoil dhe Rosneft — dy prodhuesit kryesorë të naftës ruse — duke e akuzuar Moskën për mungesë vullneti në negociatat e paqes me Ukrainën.


Masat përfshijnë edhe një numër të madh degësh të këtyre kompanive që merren me eksplorim, prodhim, menaxhim fushash naftëmbajtëse dhe logjistikë.
Si pasojë e këtyre kufizimeve, Lukoil ka nisur vlerësimin e ofertave për shitjen e aktiviteteve të saj jashtë Rusisë.

 


Lajmi kryesor:

Lufta Ukrainë-Rusi/ FT: Samiti Trump-Putin u anulua për shkak të kërkesave ruse ndaj Kievit! Pentagoni miraton dhënien e raketave Tomahawk për Kievin, por varet nga Trump