TIRANË- Mungesa e teksteve shkollore për minoritetin grek në zonën e Gjirokastrës ka qenë shqetësimi që deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo ka ngritur sot në Kuvend.
Ai ka bërë kërkesë për interpelancë me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolli.

“Sot kam depozituar kërkesë për interpelancë me ministren e Arsimit, znj. Lindita Nikolli, për çështjen e mungesës së teksteve shkollore në gjuhën amtare për shkollat e minoritetit grek. Ky është një shqetësim për të gjithë prindërit e këtij komuniteti, që edhe pse në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar zgjidhjen e këtij problemi në qeverinë e mëparshme, problemi nuk ka gjetur ende zgjidhje, e fatkeqësisht vazhdon e njëjta situatë Në mënyrë të vazhdueshme kam kërkuar zgjidhjen e këtij problemi qeverisë së mëparshme, por nuk ka gjetur zgjidhje dhe vazhdon edhe sot i njëjti problem”, vërejti Tavo.

Sipas tij nga 2680 tekste që nevojiten për arsimin e detyrueshëm kanë ardhur vetëm 367, pra 13.6 % e tyre.  Ndërsa për arsimin e mesëm, nga 35 tituj nuk ka ardhur asnjë prej tyre. Janë 1010 nxënës, prej të cilëve 200 të arsimit të mesëm, “të cilët në mungesë të teksteve të sipërpërmendura detyrohen të marrin mësimet me shënime, gjë që kujton mësimdhënien e disa dekadave të mëparshme”.

Sipas deputetit të LSI-së, ky problem bëhet edhe më i madh, “duke mbajtur parasysh gjendjen infrastrukturore, si edhe mungesën e bazës materiale për zhvillimin normal të mësimdhënies në shkollat Frashtan, Jorgucat, Bularat , Finiq, Mesopotam e Livadhja.”

Ai theksoi se, “Kjo situatë problematike e trashëguar nuk ndihmon aspak në qëllimin madhor të vendit tonë, integrimin e këtij komuniteti në shoqërinë shqiptare por edhe integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, si objektiv madhor i koalicionit të mazhorancës për Shqipërinë Evropiane.”

“Si përfaqësues i këtij komuniteti, dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndiej për detyrim që të kërkoj këtë interpelancë për t’ i kërkuar qeverisë të marr masa për zgjidhjen sa më shpejt të këtij problemi të rëndësishëm dhe shumë sensitive”, përfundoi fjalën e tij, deputeti Tavo.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)